Franca tha më 14 prill se ambasada e saj në Ukrainë do të rikthehet në Kiev, pasi ishte zhvendosur në qytetin perëndimor të Lvivit në mars, pas nisjes së pushtimit rus.

“Kjo rivendosje do të ndodhë shumë shpejt dhe do t’i lejojë Francës që të thellojë mbështetjen e saj për Ukrainën në të gjitha sferat, në mënyrë që të përballet me luftën e nisur nga Rusia më 24 shkurt”, tha Ministria e Jashtme franceze përmes një deklarate.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, e ka bërë këtë njoftim gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.

Franca, megjithatë, vazhdon të udhëzojë shtetasit e saj që të rikthehen në Ukrainë, përfshirë edhe në Kiev.

“Ne mendojmë se rikthimi i shtetasve francezë që kanë jetuar në Ukrainë, ende është i paimagjinueshëm. Kthimi i francezëve sot vazhdon të jetë zyrtarisht i ndaluar”, tha Qeveria franceze më 13 prill, duke theksuar se “gjithë Ukraina vazhdon të jetë një zonë lufte”.

Franca po i ofron Ukrainës pajisje ushtarake, ndihmë humanitare dhe ndihmë për të hetuar krimet që pretendohet se janë kryer nga forcat ruse ndaj civilëve ukrainas.

Qeveria franceze ka ndarë 100 milionë euro për mbështetje humanitare të Ukrainës dhe shteteve fqinje, përfshirë Poloninë dhe Moldavinë, shtete këto që kanë pranuar numër të madh të refugjatëve ukrainas./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA