Emigranti pa leje qëndrimi nuk merr dot paratë e fituara të llotarisë në Belgjikë (fotot)

15/04/2022 17:09

Një burrë algjerian që fitoi €250,000 nga një biletë me gërvishtje që e bleu për 5 euro në Belgjikë, nuk po arrin të marrë paratë prej statusit të tij të padokumentuar në vend.

Çmimi është më i madh nga sa lejohet të paguhet me para në dorë dhe burri nuk ka dokumentet për të hapur një llogari bankare.

Fillimisht ai kishte dërguar një mikun e tij për të pretenduar çmimin por ai ishte ndaluar nga policia si i dyshuar për vjedhje.

Fituesi thotë se kërkon të përdorë paratë e fituara për të ndërtuar jetën e tij në Belgjikë.

“Kur të marr paratë, do të blej një shtëpi të mirë për të jetuar në Bruksel, ndoshta edhe një makinë”, tha burri për rrjetin vendas Het Laatste Nieuws, të cilët nuk zbulonin identitetin e tij.

Por ai ende duhet të gjejë një rrugë për të pretenduar paratë e fitimit.

28-vjeçari nuk ka dokumente të vlefshme për të qëndruar në vend dhe as një vend të përhershëm banimi, shkruante rrjeti belg VRT.

Per arsye se ai nuk ka një llogari bankare, kompania e llotarise thotë se nuk mund të bëjë pagesën, tha avokati i tij Alexander Verstraete.

“Ne po kërkojmë për dokumentet që provojnë identitetin e tij. Ai do të kontaktojë familjen në Algjeri për të provuar gjeneralitetet,” tha Verstraete për rrjetin AFP.

Zëdhënësi i llotarisë nuk specifikonte se çfarë dokumentesh nevojiteshin për të bindur zyrtarët të lironin fondet e fitimit.

Prandaj fillimisht ai kishte ngarkuar një mikun e tij për të pretenduar paratë te selia e kompanisë në Bruksel, siç kryhet me fituesit e çmimeve mbi €100,000.

Por ai dhe dy të tjerë u ndaluan nga policia si të dyshuar se kishin vjedhur biletën fituese. Ata u liruan pasi fituesi u shpjegoi situatën.

Bileta fituese po mbahet tashmë nga gjykata e qytezës së Bruges, pranë portit të Zeebrugge ku ishte blerë.

Avokati tha se autoritetet kanë premtuar të mos deportojnë nga vendi burrin, deri sa ai të marrë paratë e fitimit.

Ai ka ardhur nga Algjeria disa muaj më parë, duke lundruar me barkë drejt Spanjës, sipas mediave belge, e më pas në këmbë duke kaluar Francën para se të vinte në Blegjikë.

Ai thotë se kishte dashur të shkonte në Britani, por tani preferon të qëndrojë në Belgjikë ku dëshiron të nisë një familje.

“Do të kërkoj dhe për një grua. Nuk do ta kërkoj me paratë e mia por me zemrën,” tha burri për rrjetin vendas Het Laat.

FOTO GALERI
1/3
Një burrë algjerian që fitoi €250,000 nga një biletë me gërvishtje që e bleu për 5 euro në Belgjikë, nuk po arrin të marrë paratë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA