
Më shumë se 900 trupa civilësh janë zbuluar në rajonin përreth kryeqytetit ukrainas, pas tërheqjes së forcave ruse, tha policia e Kievit, të premten.
Andriy Nebitov, kreu i forcave të policisë rajonale të Kievit, tha se trupat ishin të lënë në rrugë ose të varrosur përkohësisht.
“Ajo që ne po kuptojmë është se nën okupimin (rus), njerëzit thjesht u ekzekutuan në rrugë. Çdo ditë po gjenden gjithnjë e më shumë trupa nën rrënoja dhe në varreza masive”, tha ai.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se do të shtojë sulmet me raketa në kryeqytetin ukrainas, si përgjigje ndaj agresionit të supozuar të Ukrainës në territorin rus. Ndërkohë në qytetin jugor të Ukrainës, Mikolaiv guvernatori i qytetit Vitaly Kim tha se të paktën 5 person janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombave thërrmuese.
CNN thotë se nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e guvernatorit, megjithatë Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë ka thënë më parë se kishte marrë informacione të besueshme se forcat e armatosura ruse kanë përdorur bomba thërrmuese në zonat e populluara në Ukrainë.
Organizata joqeveritare Human Rights Watch gjithashtu ka konfirmuar përdorimin e bombave thërrmuese nga Rusia gjatë gjithë konfliktit. Bombat thërrmuese dërgojnë një ngarkesë bombash që përhapen dhe shpërthejnë në një zonë të gjerë.
Në vitin 2008, mbi 100 vende në Kombet e Bashkuara nënshkruan për të ndaluar përdorimin e tyre. Ukraina dhe Rusia nuk e nënshkruan marrëveshjen.
Top Channel