Një nga luftanijet më të rëndësishme të Marinës Ruse ka pësuar dëmtime të rënda dhe është evakuar me urgjencë pas atij që Rusia e përshkruan vetëm si zjarr në bord, por që Ukrainë pretendon se ishte pasojë e goditjes me raketa nga ana e saj.
Kryqëzori me raketa të telekomanduara Moskva, krenaria e flotës ruse u përfshi nga një sërë shpërthimesh pasi flakët mbërritën deri tek municionet në bord.
Mediat shtetërore TASS dhe RIA, duke cituar Ministrinë Ruse të Mbrojtjes, njoftuan se anija është dëmtuar rëndë nga incidenti se shkaku i zjarrit po hetohet, ndërsa nuk japin informacione për viktima të mundshme. Por zyrtarë ukrainas pretendojnë se ishin raketat e lëshuara nga toka ato që goditën Moskvën, e cila ka një domethënie të madhe simbolike për Ukrainën si luftanija e përfshirë në incidentin e famshëm me ushtarët në Ishullin e Gjarprit, të cilët refuzuan t`i dorëzoheshin pushtuesve.
Cilado qoftë arsyeja e zjarrit, analistët thonë se ai godet fort në zemër të marinës ruse si dhe në krenarinë kombëtare të vendit, e krahasueshme me humbjen e një luftanijeje gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Marina e SHBA-së apo një aeroplanmbajtëseje sot.
“Vetëm humbja e një nëndetëseje me raketa balistike apo e Kutznetsov, aeroplanmbajtësja e vetme ruse, do t’i shkaktonte një goditje më serioze moralit rus dhe reputacionit të marinës në radhët e publikut rus,” tha Carl Schuster, ish-drejtor i operacioneve në Qendrën e Përbashkët të Inteligjencës të Komandës së Paqësorit të SHBA-së.
Sipas BBC ndërkohë, Moska pretendon se ka marrë kontrollin e Mariupolit, por ministria e mbrojtjes në Kiev pretendon se trupat ukrainase po rezistojne ende.
Luftimet në Mariupolin e kthyer në gërmadhë thuhet se po vazhdojnë te ashpra në zonën industrial Azovstal, dhe nëse ajo bie, atëherë Rusia do ta ketë vërtet të gjithë qytetin në dorë.
Top Channel