Në mesin e pushtimit të paprovokuar të nisur prej asaj vetë, Moska ka vendosur të hapë një çështje penale ndaj ushtarëve ukrainas, thotë The Guardian.
Ky hap do të hidhet nga Komiteti Hetimor i Rusisë, që shpjegon se objekt i hetimit do të jenë torturat e ushtarëve ukrainas ndaj atyre rusë. Komiteti, i cili ka për detyrë hetimin e krimeve të mëdha, thotë se disa ushtarë rusë u kapën nga forcat ukrainase në rajonet Zaporizhzhia dhe Mykolaiv dhe u mbajtën ilegalisht nga shërbimi i sigurisë së Ukrainës.
“Rusët iu nënshtruan dhunës fizike dhe torturës për t’i detyruar ata të japin shpjegime të rreme në lidhje me kushtet aktuale të ndalimit të tyre të paligjshëm në ambientet e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës, si dhe mbi operacionin special ushtarak të Rusisë”, theksohet në deklaratë.
Këto pretendime ngrihen në kohën kur presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se Rusia po kryen genocide në Ukrainë. Presidenti po fliste për atë që të gjithë ne e shohim, atë që ai mendon se është e qartë si dita për sa i përket mizorive që po ndodhin në terren,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki për komentin e gjenocidit.
Ajo tha se administrata e presidentit Biden do të vlerësojë më tej nëse do të ndërmarrë një shqyrtim zyrtar për këtë çështje.
“Sigurisht që do të ketë një proces ligjor që do të përcaktohet në sallën e gjyqit, por ai po fliste për atë që ai sheh, ka parë në terren, atë që ne të gjithë kemi parë për sa i përket mizorive në terren.” shtoi ajo.
Top Channel