Presidenti Jo Biden e ka vendosur luftën ndaj korrupsionit e të korruptuarve si një prioritet.
Për administratën Biden korrupsioni është kërcënim i sigurisë kombëtare amerikane.
Në funksion të çuarjes përpara të tolerancës zero me të korruptuarit në të gjitha vendet e botës presidenti Biden, propozoi për postin e drejtorit të zyrës së Koordinimit të Sanksioneve në Departamentin Amerikan të Shtetit James C. O’Brien.
Një javë më parë senati amerikan e konfirmoi kandidaturën e propozuar të James C. O’Brien.
Paraditja e kësaj të hëne e gjeti O’Brien në marrjen e detyrës të cilën e komentoi sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken:
“Jim do të luaj një rrol të rëndësishëm në formësimin e politikave tona të sanksioneve, në promovimin e llogaridhënies, për korrupsionin dhe të drejtat e njeriut që abuzohen, përfshi aktivitetet penguese e kërcënuese të sigurisë kombëtare”.
James C. O’Brien kur doli përpara senatit amerikan në 12 Janar 2022 shpjegoi efektivitetin e sanksioneve:
“Unë e kuptoj sesa të rëndësishme janë për ne sanksionet. Unë e kuptoj se është e qenësishme që ne të përforcojmë politikën e sanksioneve për t’i zbatuar ato plotësisht. Administrata jonë ka identifikuar njerëzit që do të jenë edhe në vijim objekt i sanksioneve. Së pari, sanksionet janë pjesë e strategjisë sonë. Ato janë mjete shumë të fuqishme dhe përdorimi ose kërcënimi nëpërmjet tyre është jashtëzakonisht efektiv në mbështetje të një strategjie koherente”.
Marrja e kësaj detyre nga O’Brien është një tjetër lajm i keq pas atyre të ditëve të fundit për ish kryeministrat, politikanët, prokurorët e bizneset e korruptuara në Ballkan.
Sepse James C. O’Brien është një njohës i mirë i zhvillimeve në rajonin tonë.
Ai ka shërbyer si i dërguari special i presidentit për Ballkanin ku është përfshirë në aspektet diplomatike, ekonomike dhe politikat e sigurisë.
James C. O’Brien në kapacitetet e këshilltarit të ish sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright, është hartuesi marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë .
Megjithëse dy muajt e fundit fjala Sanksione për SHBA i referohet Rusisë, paralelisht me këtë siç ndodhi ditët e fundit, nuk janë lënë jashtë vëmendjes e përfshirjes sanksionimi të korruptuarve në Ballkan, mes tyre nga Shqipëria ish deputeti Aqif Rakipi dhe pronari RTV Ora News Ylli Ndroqi.
Top Channel