Blinken pas raportit të DASH: Zmbrapsje alarmuese e demokracisë e shtetit ligjor!

13/04/2022 09:23

Kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken foli me tone të zymta pas publikimit të raportit të përvitshëm për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit.

“Kthimi pas sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut fatkeqësisht vazhdon”, tha Sekretari i shtetit, që përmendi luftën e Rusisë në Ukrainë duke nënvizuar se “po shohim çfarë lë pas kjo valë – trupa, duar të lidhura, të braktisur nëpër rrugë; teatro, stacione treni, godina banesash të shndërruara në rrënoja me civilët brenda tyre”.

Ai theksoi po kështu se “qeveritë po burgosin më shumë kritikë. Sot, mbi një milion të burgosur politikë mbahen në mbi 65 vende”, tha Blinken. Ai u shpreh se ka në tërësi një një zmbrapsje alarmuese e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut duke përmendur veç Rusisë, edhe situatën e ujgurëve në Kinë apo abuzimet e mëdha më të drejtat e njeriut në Iran.

Raporti i DASH, i publikuar një ditë më parë, në pjesën e kushtuar Shqipërisë nënvizonte se çështjet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin “problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërsa vazhdonte procesi i Vetingut; kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet lokale”.

“Mosndëshkimi mbeti një problem, megjithëse Organi i Specializuar për Antikorrupsionin dhe gjykatat antikorrupsion bënë përparim të rëndësishëm gjatë vitit në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar”, theksohej aty.

Raporti tregonte se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë arriti në përfundimin se zgjedhjet e 25 prillit ishin të organizuara mirë, votuesit kishin alternativa mes kandidatëve që ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i menaxhoi në mënyrë adekuate detyrimet e tij.

Por thoshte nga ana tjetër se qeveria nuk e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore. “Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thuhej aty.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA