Sezoni turistik nuk është larg dhe me ardhjen e pranverës pushuesit ditorë dhe ata të fundjavës kanë nisur ta frekuentojnë masivisht bregdetin e Durrësit dhe Kavajës.
Një pjesë e tyre janë habitur kur në disa segmente të tij, kryesisht në zonën e Golemit, kanë hasur varg-pirgjet me rërë të cilat janë ngritur përgjatë shëtitores bregdetare dhe nuk lejojnë të shijosh detin teksa ndodhesh pranë tij.
Në prag të sezonit turistik, kjo është një masë e marrë nga subjektet që shfrytëzojnë brezin ranor për të ofruar shërbime gjatë verës. Dukuritë natyrore të baticë-zbaticës lënë pas dhe pasojat e tyre, ndaj disa prej subjekteve kanë zgjedhur ta grumbullojnë rërën në këtë mënyrë për ta ruajtur nga tërheqja e saj prej detit gjatë zbaticës.
Ashtu si deti dhe dielli, edhe rëra mbetet kryefjalë e pushimeve verore jo thjesht për shkak të argëtimit që ofron, por edhe të ndikimit pozitiv në shëndetin e njeriut. Një treshe e fuqishme, diell-det-rërë që forcon imunitetin dhe sjell kënaqësi duke rigjeneruar energjitë. Ndaj plazhet me rërë të bollshme dhe të pastër janë tepër të kërkuara si një kurë natyrore për mirëqenien dhe shëndetin e pushuesve të çdo grupmoshe.
Top Channel