Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pranuar se është drejt përfundimit një studim, i cili do të bëjë të mundur rikthimin e fashave për pagesën e energjisë elektrike nga familjarët.
Teksa detajet e studimit nuk tregohen ende, indikatorët sugjerojnë se familjarët që harxhojnë më shumë se 700 KWH energji elektrike do ta paguajnë faturën e dritave me çmim tregu.
Aktualisht çmimi i energjisë për të gjithë familjarët dhe bizneset e vogla kompensohet nga shteti dhe paguhet në masën 9.5 lekë, ndërsa në tregun e lirë çmimi i saj shkon trefish, mesatarisht 33 lekë.
Qeveria ka marrë vendim edhe për fiskalizimin e transporti publik. Biletat nëpër urbane do të jenë diçka e së shkuarës pasi pritet që çdo pasagjeri t’i pritet elektronikisht nëpërmjet një platforme të posaçme.
Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte edhe subvencionimi me 100 lekë për çdo litër naftë i transportit publik ,pas paralajmërimeve të shumta të operatorëve për përgjysmimin e flotës në qarkullim dhe rritjen e çmimit të biletës. Këtë masë qeveria e ka konsideruar si pjesë e paketës së Rezistencës Sociale.
Top Channel