Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për të drejtat e njeriut ku për Shqipërinë rendit probleme si korrupsion, mos ndëshkim në të gjitha nivelet e qeverisjes, mungesë pavarësie në sistemin gjyqësor, si dhe kufizim i lirisë së shprehjes.
“Korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thotë raporti i departamentit amerikan të shtetit.
“Mosndëshkimi mbeti një problem, megjithëse Organi i Specializuar për Antikorrupsionin dhe gjykatat antikorrupsion bënë përparim të rëndësishëm në hetim, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.
Gjithashtu sipas raportit të dash qeveria nuk e zbatoi legjislacionin që ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore.
Presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thekson raporti.
Në raportin e DASH, përfshihet dhe një raport i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që nxori disa gjetje për zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, si blerja e votave, rrjedhja e të dhënave personale dhe avantazhi i konsiderueshëm i partisë në pushtet”.
“Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit”, thotë raporti.
“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan medien e pavarur të shkruar dhe gazetarët në përmbushjen e detyrës“, thuhet në raportin e departamentit të shtetit
Top Channel