Ndëshkimet ndaj Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit, përfshijnë dhe familjarët direkte.
Në rastin e Rakipit, pyetja kryesore është mbi dy të afërmit e tij, dhëndrin e të vëllait dhe djalin, të dy anëtarë të kuvendit, të dy të partisë socialiste, Saimir Hasalla dhe Ornaldo Rakipi. Top Channel pyeti një zyrtar të lartë amerikan të thesarit edhe për këtë çështje.
Përgjigja ishte se “pasojat janë për individët e përmendur, pra Rakipin në këtë rast, por po mblidhen prova dhe për çdo njeri tjetër sepse mesazhi është: Nuk duam individë të tillë të kenë këto pozita në shoqërinë shqiptare, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit.
Ndërkohë një zyrtar i larte i departamentit amerikan të shtetit i tha Top Channel se po shqyrtohet mundësia që edhe persona të shpallur ‘non grata’, në bazë të seksionit 7031, pika c, t’i nënshtrohen të njëjtave sanksione ekonomike, si Rakipi dhe Ndroqi. Ndërkohë një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit, i tha Top Channel se vendimet janë sinjale sesa seriozisht shtetet e bashkuara marrin korrupsionin, pasi korrupsioni është problemi kryesor i Ballkanit.
Pas shpalljes së vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit, djali i Aqif Rakipit, deputeti socialist Ornaldo Rakipi foli për herë të parë para mediave ndërsa hynte në Parlament.
Por se sa seriozë janë amerikanët në pastrimin e Ballkanit Perëndimor nga korrupsioni dhe elementet turbullues, mjafton të shohësh vendimet e sotme.
Nikolla Gruevski, Sasha Mihajlkov dhe Gordana Tadiç janë në të dyja listat, edhe ‘non grata’ nga Departamenti i Shtetit, edhe të sanksionuar ekonomikisht nga Departamenti i Thesarit.
Një precedent i fortë, për të gjithë ata, që menduan, se loja ka mbaruar. Mesa duket, nuk kemi parë gjë ende.
Top Channel