Një karvan me qindra makina që valëvisnin flamurë rusë e të shënuara me simbolin pro-luftë “Z” shihej dje në kryeqytetin e Irlandës Dublin, i cili u dënua nga ambasada ukrainase atje si “mungesë respekti e irlandezëve që mbështesin luftën e Rusisë ndaj Ukrainës”.
Protestues pro-rusë kanë dalë nëpër rrugët e Irlandës gjatë fundjavës me një karvan të gjatë në autostradën M50 në Dublin.
Disa makina kishin flamurë të tjerë që valëviteshin nga dritaret, ndërsa të tjera ishin shënuar me gërmën ‘Z’.
Politikanë, aktivistë e komentatorë Pro-Putin mbanin shenjën ‘Z’ në mbështetje të luftës.
Ambasada e Ukrainës në Irlandë dënoi valën e simpatisë pro-ruse duke shkruar në rrjetet sociale Twitter: “Është e neveritshme të shohësh këta rusë që jetojnë në Irlandë të tregojnë mungesë respekti ndaj vendit tonë, apo dhe irlandezë që mbështesin luftën e Rusisë ndaj Ukrainës”.
Karvani i mjeteve ishte nisur dhe organizuar nga Maldron Hotel dje në aeroportin e Dublinit.
Disa nga makinat kishin dhe flamurin tre-ngjyrësh irlandez përkrah atij të Rusisë. Reagimet në rrjetet sociale ishin të përziera, duke nisur nga revoltimi te mbështetja.
Një miting i ngjashëm u zhvillua dje dhe në Gjermani, ku popullata e konsiderueshme rusisht-folëse tha se kërkon fundin e diskriminimit që pëson që prej nisjes së konfliktit.
Rreth 600 demonstrues morën pjesë në një karvan makinash në qytetin verior gjerman të Hanover pas apelit të komunitetit rusofon, tha policia lokale për rrjetin AFP, ndërsa më shumë se 200 vete u mblodhën në një miting në Osnabruck, në Gjermaninë veriperëndimore.
Protesta dhe anti-protesta u mbajtën të shtunën në Stuttgart dhe në qytetin verior të Lubeck, ku u mblodhën disa qindra njerëz.
Rreth 800 u mblodhën dje në qendrën financiare të Frankfurt, ku qindra njerëz me flamurë rusë kërkonin mbrojtje nga diskriminimi dhe urrejtja.
“Kam ardhur këtu sepse mëbshtes paqen”, tha 24 vjeçari Ozan Yilmaz, protestues pro-rus
“Fëmijët po rrihen në shkollë sepse flasin rusisht, kjo është e paparanueshme”.
25 vjeçari Sebastian, ishte gjithashtu në turmën pro-ruse: “Kjo luftë nuk ka nisur tani, por që në vitin 2014, prandaj nuk pranoj të thonë se Rusia po sulmon Ukrainën, kur ka qenë ajo që ka sulmuar ruset në lindje”.
Gjermania ka një popullatë me origjinë ruse prej 1.2 milionë, ndërsa ukrainas rreth 325,000.
Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk, kundërshtoi dhënien e lejes së protestës duke e quajtur qëndrimin e tyre ‘ambivalent’ ndaj Moskës.
Demonstrimet ishin kryesisht paqësore por një grua u arrestua për shfaqjen e simbolit ‘Z’, që tashmë është ndaluar në Berlin./DailyMail/
Top Channel