Lufta Ukrainë-Rusi ka shtuar rreziqet edhe për ekonominë shqiptare dhe do të frenojë ritmet e rritjes së saj.
Së fundmi është Banka Botërore ajo që ka zhvlerësuar projeksionet për një rritje ekonomike në 3.2% nga 3.8% që kishte parashikuar në fillim të këtij viti, duke iu afruar pritshmërive të institucioneve të tjera vendase e të huaja.
Edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim shkon në të njëjtën linjë me po këtë projeksion, ndërsa vetë qeveria shqiptare është më optimiste dhe prêt të ekonomia të zgjerohet nga 3.2 deri në 3.5%. Më konservatore është banka qendrore sipas të cilës në skenarin më negativ rritja ekonomike nuk kalon 3%.
Në raportin e pranverës, Banka Botërore evidenton se përshkallëzimi i luftës do të rrisë më tej çmimet e energjisë dhe mallrave ushqimore që pritet të mbajnë inflacionin në nivelin 5%. Fuqia blerëse do të tkurret ndjeshëm sipas saj, ndërsa rrezik shtesë për ekonominë janë edhe variantet e reja Covid-19.
Lufta në Ukrainë mund të rrisë më tej inflacionin, të prishë zinxhirët e furnizimit e të shqetësojë tregjet financiare. Të gjitha këto mund të zbehin perspektivat e rritjes së Shqipërisë, shkruan BB.
Në kushte të tilla, kur edhe buxheti gjendet në vështirësi pas goditjeve të njëpasnjëshme, institucioni financiar ndërkombëtar thekson se qeveria mund të shkurtojë shpenzimet për të parandaluar një rritje të borxhit publik, por shton se kriza e energjisë do të kërkojë fonde shtesë për të garantuar furnizimin me energji dhe për të mbështetur shtresat në nevojë.
Edhe në këtë raport, banka bën apel për kujdes me nivelin e borxhit publik, teksa evidenton si prioritet bazë nevojën për të mbledhur sa më shumë të ardhura përmes strategjisë afatmesme që qeveria po ndërmerr me asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Edhe pse, efektet e saj mund të kërkojnë kohë, në kushtet kur Financat kanë lajmëruar se do të shtyjnë konsultimin e ndryshimeve të reja të taksave deri në kapërcimin e krizës së çmimeve.
Top Channel