Banorët e tre fshatrave të Kukësit të cilët prej më shumë se 10 ditësh kanë probleme me qarkullimin në urën e Shtrezës e cila u dëmtua gjatë reshjeve të para që përfshiu vendin i janë drejtuar Bashkisë së Kukësit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Prefekturës së Qarkut që të marrin masa.
Banorët e Shishtavecit, Novosejës dhe Turajt thonë se janë bllokuar për shkak të shembjes së urës së Shtrezës.
Ata kërkojnë vëmendjen e plotë dhe marrjen e masave për zgjidhjen e çështjes dhe kthimin në normalitet të situatës duke zhbllokuar lëvizjen e automjeteve në këtë aks.
Apeli publik i banorëve në Facebook:
Bashkisë Kukes
Ministris Infrastrukturës dhe Energjisë
Autoriteti Rrugor Shqiptar(ARrSh)
Prefektura e Qarkut Kukes
Në lidhje me problematikën e Urës se Shtrezës.
Siç jeni njohur dhe nga publikimet tona të mëparshme, prej mëse 10 ditësh banorët e 3 fshatrave Shishtavec, Turaj, Novosej gjenden të bllokuar për shkak të shembjes së urës së Shtrezës nga reshjet e shiut të fillim muajit. Qindra banorë të kësaj njësie kanë hasur vështirësi të mëdha në lëvizjen drejt qytetit të Kukësit e zonave të tjera të vendit për të plotësuar nevojat e tyre jetike në furnizimin me ushqime, ilaçe e marrje shërbimesh të ndryshme, si dhe tregtimin e patateve. Banorët detyrohen të ecin një pjesë rruge në këmbë të ngarkuar me ushqime e trasta të rënda në duar me rezervat disajavore, për të kaluar nga njëra anë e urës në tjetrën, ndërkohë që kjo po degradon e shkërmoqet përditë nga kushtet e motit dhe amortizimi disa dekadash, duke i shtuar vështirësitë.
Shqetësimi i banorëve i adresuar ndaj pushtetit vendor por dhe i bërë publik në media e rrjete sociale prej ditësh, nuk ka gjetur ende një reagim me masa konkrete. Megjithë punën e lavdërueshme të pushtetit vendor në pastrimin e aksit rrugor Uzinë – Shishtavec nga reshjet e dëborës gjatë periudhës së dimrit, nuk është bërë asnjë investim në infrastrukture për mirëmbajtjen e këtij aksi që nga ndërtimi i tij në vitin 2011 – 2012. Kjo po çon në degradimin e asfaltit në pjesë të ndryshme të rrugës e bllokimin e saj nga rrëshqitjet e vazhdueshme prej reshjeve. Nga ana tjetër, rruga e vjetër që kalon në aksin lidhës të Kollovozit është e jofunksionale, ndërkohë që rruga për nga Cërnaleva dhe Borja është krejtësisht e papërdorshme për automjetet.
Ndërkaq rruga nga dogana nëpërmjet aksit Shishtavec – Krushevë – Dragash e pastaj doganës Morin, përvec vonesave të ndalesës në dy dogana, është dhe dyfish më e gjatë duke shumëfishuar kostot për automjetet. Në këto kushte banorët e zonës apelojnë kërkojnë ndërhyrjen imediate të Bashkisë dhe instancave përkatëse në implementimin dhe çeljen e fondit të emergjencës për hapjen dhe rehabilitimin e shpejtë të aksit të vjetër Shishtavec – Kollovoz deri në rindërtimin dhe funksionimin e plotë të urës së Shtrezës. Kërkojmë vëmendjen e plotë dhe marrjen e masave imediate për zgjidhjen e çështjes dhe kthimin në normalitet të situatës duke zhbllokuar lëvizjen e automjeteve në këtë aks rrugor.
Top Channel