“Si të largohemi nga Rusia?”… Kjo është një pyetje që, sipas gjigantit të kërkimeve në internet, Google, ka thyer rekorde brenda Rusisë, një javë pasi vendi ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Interesimi i rusëve për konceptin “emigrim” është katërfishuar, ndërsa kërkimet për “viza të udhëtimit” gati se janë dyfishuar.

Se sa rusë janë larguar, është vështirë të përcaktohet, por disa media, si Deutesche Welle, kanë vlerësuar se Rusia po përjeton eksodin më të madh që nga Revolucioni i Tetorit, i vitit 1917.

Në një hulumtim të publikuar në fund të marsit, organizata jofitimprurëse ruse “OK Rusi” ka llogaritur se së paku 300,000 njerëz janë larguar nga Rusia, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Organizata ka theksuar se shifrat e sakta nuk mund të dihen, pasi të dhënat zyrtare nuk janë të disponueshme.

Shërbimi Current Time i Radios Evropa e Lirë ka arritur të sigurojë rrëfimet e së paku dy personave – një gazetareje dhe një aktivisti – që kanë ikur nga Rusia për në Lituani.

“Për mua ka qenë vërtet e qartë: Jam në një vend që po bombardon anëtarë të familjes sime. Çfarë më duhet më shumë? Në televizionin shtetëror kam dëgjuar se gjithçka është mirë dhe se Rusia nuk po bombardon askënd”, ka thënë Olesya Ostapchuk, gazetare.

“Për mua, kulmi ndoshta ka qenë ligji për lajmet e rreme, me të cilin luftën nuk mund ta quash luftë. Fiziologjikisht nuk kam qenë në gjendje ta përballoj këtë luftë dhe të qëndroj i heshtur. Nëse opsionet janë të shkosh në burg, ose të largohesh nga vendi… unë nuk shoh arsye për të shkuar në burg”, ka thënë aktivisti Grigory Sverdlin.

Në fillim të marsit, shteti rus ka miratuar një ligj që ndalon shpërndarjen e atyre informacioneve rreth luftës, që autoritetet i konsiderojnë të rreme. Shkelësit mund të dënohen deri në 15 vjet burg.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka cilësuar pushtimin e paprovokuar në Ukrainë si “operacion special”, i cili, siç ka thënë, ka për qëllim “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin e këtij vendi”.

Në një fjalim të mbajtur së voni, Putin i ka quajtur “tradhtarë” rusët që nuk e mbështesin atë. Ai ka thënë se Perëndimi bën përpjekje ta shkatërrojë Rusinë, duke u mbështetur te “kolona e pestë”. “Kolona e pestë” zakonisht u referohet simpatizantëve të armikut gjatë një lufte.

“Perëndimi përpiqet të përçajë shoqërinë tonë – duke spekuluar për humbjet ushtarake dhe për pasojat socio-ekonomike – me qëllim që të provokojë një konfrontim civil në Rusi. Dhe, duke përdorur kolonën e pestë, ai përpiqet të arrijë qëllimin e tij: shkatërrimin e Rusisë”, ka thënë Putin.

Hulumtimi i organizatës OK Rusi ka treguar se disa nga arsyet e rusëve që largohen janë: kundërshtimi i pushtimit të Ukrainës dhe rënia e standardit jetësor.

Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të papara kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Qindra kompani perëndimore kanë dalë nga tregu rus, dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur punën brenda natës dhe monedha ruse rubla ka rënë në vlerë.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Nikolai Roussanov, profesor i ekonomisë në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se ka qenë e pritshme që Rusia të përjetojë një eksod njerëzish, të cilët ndjejnë se nuk kanë të ardhme brenda Rusisë.

“Mendoj se janë dy arsye kryesore. E para ka të bëjë me mundësitë për punë. Për shumë profesionistë të rinj, IT dhe sektorë të tjerë, [puna] në Rusi po tkurret. Ata përpiqen të zhvendosen në vende që iu ofrojnë mundësi. Rusia po izolohet gjithnjë e më shumë, bota e biznesit atje po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe ata kërkojnë vende ku mund të vazhdojnë të punojnë”.

“Arsyeja e dytë është se për shumë njerëz, frika dhe mungesa e lirisë së shprehjes po bëhen të papërballueshme. Kështu që ata kërkojnë vende ku mund të marrin frymë më lirshëm”, thotë Roussanov.

Alexander Nozik është fizikan në Institutin e Fizikës dhe Teknologjisë në Moskë. Ai thotë se puna e tij dhe kolegëve të tij është vështirësuar shumë, për shkak të ndërprerjes së bashkëpunimit me kolegët botërorë. Duke folur për Exposenë, ai thotë se është e pamundur të zhvillosh shkencë të izoluar.

“Kam planin tim rezervë. Unë dhe familja ime nuk duam të largohemi, por duhet të mendojmë për të ardhmen. Andaj, kam disa plane për t’u larguar nëse gjërat përkeqësohen, ose të paktën mbeten të njëjta për një kohë të gjatë”, thotë Nozik.

Nozik nuk do të tregojë se për ku do të largohej. Por, shumë rusë janë duke shkuar në vende që nuk u kërkojnë viza, siç janë vendet ish-sovjetike: Armenia, Gjeorgjia dhe Kirgizia. Turqia është destinacion po ashtu, për shkak të fluturimeve direkte me Rusinë dhe regjimit pa viza.

Mijëra fluturime të tjera ndërkombëtare janë anuluar, pasi linjat ajrore ruse nuk lejohen të fluturojnë mbi shumë vende perëndimore.

Alexander Nozik thotë se nuk e përcjell propagandën që bën televizioni shtetëror rus për ngjarjet në Ukrainë, porse informohet përmes kanaleve të ndryshme në Telegram. Ndonëse nuk elaboron shumë, ai shprehet optimist se gjërat mund të ndryshojnë.

“Unë besoj se sistemi këtu në Rusi do të kolapsojë dhe do të bëhet më mirë. Pyetja e vetme është se sa njerëz do të vuajnë përpara se të kolapsojë. Kjo është arsyeja përse ne mendojmë për zhvendosjen dhe kemi plane rezervë”, thotë Nozik.

Rusia dhe Ukraina janë të angazhuara në negociata për paqe, por, përveç disa përparimeve të raportuara, diçka konkrete nuk ka. Po ashtu, nuk ka indikacione për ndonjë ndryshim të pritshëm në regjimin rus.

I pyetur nëse vala e migrimit nga Rusia do të shkaktojë presion mbi Kremlinin, Nikolai Roussanov, profesor i ekonomisë në Universitetin e Pensilvanisë, përgjigjet:

“Kjo është vështirë të thuhet. Kjo është diçka që vërehet me kalimin e kohës. Është diçka të cilën ekonomia dhe populli rus nuk do ta ndiejnë shpejt. Pra, nuk mendoj se është presion i menjëhershëm. Por, padyshim është një presion afatgjatë, që do të dëmtojë konkurrencën e vendit”.

Roussanov pajtohet se Rusia, deri në njëfarë mase, po përballet me “ikje të trurit”, pasi shumica e të zhvendosurve janë njerëz në moshë pune, sidomos nga sektori i teknologjisë informative. Roussanov thotë se shteti rus do të ndërmarrë masa nëse situatën e percepton si shqetësuese.

“Është e lehtë të imagjinojmë – ne që kemi jetuar në Bashkimin Sovjetik – se çfarë mund të bëjë shteti. Tash për tash, kam parë disa raporte për disa keqtrajtime të vogla të njerëzve në kufi, por jo në shkallë masive. Këto i kam parë nëpër media, nuk kam informacione të dorës së parë. Por, nëse shteti e sheh si problematike ikjen, ai mund ta bëjë më të vështirë atë”, thotë Roussanov.

Në periudhën e Bashkimit Sovjetik, udhëtimi jashtë ka qenë shumë i vështirë, për shkak të perdes së hekurt, propagandës dhe tensioneve të përgjithshme. Për të udhëtuar jashtë, njerëzve u është dashur leje e posaçme nga qeveria.

Shërbimi Qendror i Radios Evropa e Lirë ka raportuar se shumë qytetarë që kanë dalë nga Rusia, janë përballur me procese të gjata të marrjes në pyetje në kufi. Shumë prej tyre kanë thënë se është dashur t’iu japin telefonat dhe kompjuterët oficerëve të policisë, të cilët kanë lexuar, madje, edhe mesazhet e tyre private.

Ata që ikin, sipas raportime të mediave, u përkasin të gjitha profileve dhe profesioneve. Bujë në lajme ka bërë largimi i prima-balerinës së Bolshoit, Olga Smirnova. Ajo ka thënë se është kundër luftës në Ukrainë dhe është zhvendosur në Holandë, ku i është bashkuar teatrit kombëtar të këtij vendi.

“Në një botë moderne dhe të ndritur, unë pres që shoqëritë e civilizuara t’i zgjidhin çështjet politike vetëm përmes negociatave paqësore. Nuk e kam menduar kurrë se do të turpërohem me Rusinë, gjithmonë kam qenë krenare për njerëzit e talentuar rusë, për arritjet tona kulturore dhe atletike”, ka thënë Smirnova para se të largohej.

Sipas Qendrës Levada – të vetmit institut të pavarur të sondazheve në Rusi – rusët pro-evropianë, që dënojnë luftën në Ukrainë, përbëjnë së paku 20% të popullsisë totale ruse. Në terma të tjerë, kjo do të thotë rreth 30 milionë njerëz./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA