10 miliardë euro ndihma për refugjatët dhe Ukrainën

09/04/2022 20:43

Në një konferencë ndërkombëtare donatorësh për të mbledhur ndihma për refugjatët nga Ukraina e organizuar në Varshavë janë grumbulluar donacione dhe kredi në vlerë 9,1 miliardë euro.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në një videomesazh në konferencë premtoi 425 milionë euro ndihmë humanitare dhe ndihmë zhvillimi për Ukrainën dhe vendet fqinje nga Gjermania. Kësaj i shtohen 70 milionë euro ndihmë mjekësore. “Gjermania qëndron në krah të Ukrainës”, tha Scholz.

Kurse Komisioni Europian ka vënë në dispozicion 1 miliardë euro për Ukrainën. Krahas këtyre ndihmave, Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin do të vendosë si shtesë në dispozicion edhe 1 miliardë euro të tjera për njerëzit e larguar nga lufta, tha presidentja e KE, Ursula von der Leyen në Varshavë. “600 milionë euro do të shkojnë për Ukrainën dhe autoritetet ukrainase e pjesërisht për Kombet e Bashkuara.”

Kurse 400 milionë euro shkojnë në vendet kryesore që kanë pritur numrin më të madh të refugjatëve. Konferenca u organizua nga Komisioni Europian, nga organizata joqeveritare, Global Citizen, dhe qeveria kanadeze. Fondet do të shkojnë po ashtu për projekte të OKB. Polonia ka pritur deri tani më shumë se 2,5 milionë nga 4,4 milionë refugjatë që janë detyruar nga zonat e luftimeve në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA