Aksioni në Morinë/ Evidentohen 312 raste korruptive, SPAK çon në burg 17 policë, pezullohen 3 të tjerë

08/04/2022 12:12

17 punonjës policie të arrestuar dhe 3 të tjerë të pezulluar, është ky bilanci i operacionit të ndërmarrë nga SPAK dhe policia e Kosovës në pikën kufitare. Ndër të tjera për 14 të tjerë, qytetarë të thjeshtë, apo punonjës policie është kërkuar masa e arrestit në shtëpi.

Në përfundim të hetimeve disa ditore, SPAK njoftoi se janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë. Mësohet se procedimi penal nisi pas kallëzimit nga SHCBA mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, etj.

“Gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorine Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës.Veprimet e kundraligjëshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA