Jemi në vitin 2016. Është duke gdhirë data 22 Korrik. Kuvendi i Shqipërisë sapo votoi me shumicë absolute, Reformën në Drejtësi.
Ky është një prej votimeve të rralla me shumicë unanime. Reforma, kishte si synim jo vetëm pastrimin e sistemit nga të korruptuarit, por edhe dhënien e drejtësisë në një afat të arsyeshëm. Pra, mbylljen e mijëra çështjeve të mbetura stok.Nga ai votim, ka ndodhur e kundërta. Stoku nëpër gjykata vetëm sa është thelluar.
Ky i moshuar prej rreth 4 vitesh nuk merr pensionin për shkak të disa ngatërresave me emrin nga gjendja civile. Gjatë kësaj kohe, ai është endur dyerve të gjykatave.
“Erdha në gjykatë për punë e pensionit, më bllokuan pensionin 3 vite, tash kena gjyqin sot” u shpreh Llesh Tataj, denoncues
Në Shkallën e Parë në Lezhë ai e kishte fituar të drejtën, por vendimi nuk mund të ekzekutohej pasi Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore e kishte çuar në Apel. Pra, vendimi i shkallës së parë nuk mund të ekzekutohej.
“Kam bërë dy gjyqe në Lezhë, u vendos me e marrë pensionin atje, e sollën në Apel” u shpreh Llesh Tataj, denoncues
Pas më shumë se 3 vitesh në pritje, seanca e datës 17 Mars 2022, ishte e para për të moshuarin në Gjykatën e Apelit Shkodër. Gjatë kësaj periudhe ai ka mbijetuar pa të ardhura, duke pritur mbylljen e çështjes për gabimet e zyrtarëve të shtetit që kishin bërë ngatërresat.
Rasti i të moshuarit nga Shkodra është një prej qindra çështjeve të ngjashme. Pavarësisht se konsiderohen mjaft të thjeshta për tu zgjidhur, ato vonojnë me vite duke lënë një shtresë vurnerabël në vështirësi mbijetese.
Top Channel