Bashkimi Evropian miratoi të enjten raundin e pestë të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Masat e reja përfshijnë ndalimin e importeve të qymyrit rus si dhe embargon ndaj eksporteve të armëve në Rusi.
Sanksionet përfshijnë gjithashtu mbylljen e porteve të BE-së për anijet ruse dhe ndalimin e eksporteve të produkteve të teknologjisë së lartë në Moskë.
“Kjo paketë shtrin sanksionet kundër Rusisë në zona të reja dhe parashikon në veçanti, sanksione kundër oligarkëve, aktorëve të propagandës ruse, anëtarëve të ushtrisë, subjekteve në sektorin industrial dhe teknologjik të lidhur me agresionin rus kundër Ukrainës”, tha presidenca franceze e Këshillit të BE-së teksa paralajmëroi se më shumë detaje do të bëhen publike në vazhdim.
Ndërkohë edhe në SHBA, si një masë shtesë, Senati amerikan votoi të enjten unanimisht për t’i hequr statusin e “vendit më të favorizuar” Rusisë dhe aleatit të saj të ngushtë Bjellorusisë, si edhe për të ndaluar importet ruse të naftës, duke shkaktuar kështu pasoja të mëtejshme ekonomike ndaj Moskës.
Senati votoi me 100 vota pro dhe asnjë kundër në favor të masës që heq statusin e Marrëdhënieve Normale të Përhershme Tregtare (PNTR).
Hapin e fundit e ka presidenti Joe Biden, i cili pritet të nënshkruajë projektligjet.
Pak ditë më parë sanksionet e reja amerikane përfshinë edhe familjen e presidentit rus Vladimir Putin, duke veçuar dy vajzat e tij të rritura përveç bankave kryesore ruse.
Top Channel