Modele të njohura ruse po filmojnë veten e tyre në rrjetet sociale duke prerë me gërshërë çantat e tyre të preferuara Chanel, në protestë ndaj sanksioneve dhe ndalimit të blerjeve online të aksesorëve të tyre të preferuar.
Gratë e famshme akuzojnë kompaninë për ‘rusofobi’ për largimit të Chanel nga vendi i tyre.
Zhvillimi vjen megjithse kompania ka ftuar klientët e saj rusë të bëjnë pazar në dyqanet e saj jashtë vendit, por me zotimin se nuk do të mbajnë ose shfaqin produktet e tyre në Rusi.
Por vajza e pasura ruse duket senuk duan t’ia dinë për të vdekurit e luftës në Ukrainë që sollën edhe sanksionet perendimore ndaj vendit të tyre.
Aktorja dhe prezantuesja televizive Marina Ermoshkina, 28 vjeçe, shprehte zemërimin e saj ndaj më shumë se 400 000 ndjekësve në Instagram duke prerë pa mëshirë çantën e saj luksoze në videon direkte.
“Asnjë objekt ose firmë nuk vlen sa dashuria ime për atdheun ose respekti për veten time”, thotë ajo duke prerë çantën me një palë gërshërë profesionale.
“Unë jam kundër rusofobisë dhe kundër firmave që ushqejnë rusofobinë. Të merrem me Chanel është si të shes atdheun tim”.
“Kisha ëndërruar ta blija këtë çantë që kur isha e vogël”, shton aktorja duke e prerë çantën me gërshërë.
Ndërsa DJ Katya Guseva, 39 vjeçe, thoshte për 600 000 ndjekësit e saj: “Unë i them jo Chanel.”
“Ata më kërkojnë të nënshkruaj një dokument poshtërues, duke kërkuar të refuzoj atdheun tim në favor të markës së tyre”.
“Jam kundër rusofobisë dhe diskriminimit prej kombësisë. Për t’ju treguar se e kam seriozisht ja ku po e pres me gërshërë çantën. Bye-bye, Chanel”, thotë ajo.
Ajo shtonte më tej: “Femrat ruse janë të mrekullueshme, nëse kanë apo jo Chanel – e gjithë bota e di këtë, ashtu si dhe Chanel.”
Modelja e biznesmenja ruse me bazë në Monaco, Victoria Bonya, 42 vjeçe, me 9 milionë ndjekësa ne rrjet, komentonte në anglisht: “Nëse Chanel House nuk respekton klientët e saj, përse duhet që unë të respektoj Chanel? Bye bye.”
Gratë mbështeteshin nga komentuesja ruse jashtë vendit Sharli Prokopif e cila u thoshte 250 000 ndjekësve të saj: “Unë jam ruse që jetoj në Evropë – dhe refuzoj të vishem me Chanel.
Komentuesit shprehnin zhgënjim ndaj sjelljes dhe hashtagut #ByeByeChanel.
Një prej përdoruesve pyeste: “Përse nuk shqetësoheni për vdekjet në Ukrainë që ka shkaktuar ushtria ruse? Por merreni me këto shfaqjet me gërshërë?”
Një tjetër sugjeronte një sjellje më me leverdi: “Kjo është qesharake, shitini çantat dhe merrni paratë, përse e dramatizoni kështu?”
Videot e protestës vijnë pas mesazheve të ngjashme nga influencuese ruse nga Dubai për refuzimin e firmave të mëdha.
Dizenjatorja ruse Liza Litvin tregonte se refuzonte të mbante Chanel në qendrën tregtare në Dubai.
“Shkova në një dyqan Chanel në qendrën ‘Mall of the Emirates’, por nuk ma shitën sepse isha nga Rusia, përveç rastit nëse pranoja të mos e mbaja në Rusi. Më erdhi për të vjellë”, tha Litvin.
Influencuesja Yana Rudkovskaya, 47 vjeçe, producente muzikore nga Moska, bashkëshorte e patinatorit kampion bote Alexander Plyushenko, ishte tmerruar kur iu mohua marka e saj e preferuar.
Ajo thotë se ka shpenzuar më shumë se një milionë euro në firmën Chanel gjatë viteve dhe e konsideronte masën e fundit disi “turpëruese”.
Më herët zëdhënësja e Moskës, Maria Zakharova akuzonte Chanel se i ishte bashkuar “fushatës rusofobe për fshirjen e Rusisë”.
Ajo mes të tjerash tha: “Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, vetë Coco Chanel ishte bashkëpunëtore dhe agjente e Rajhut të Tretë. Ashtu siç është dhe tani gjatë fushatës se Rusisë kundër fashizmit në Ukrainë”.
Selia kryesore e Chanel në Francë konfirmonte politikën duke thënë se ishte e detyruar prej sanksioneve të BE dhe Zvicrës për sendet e luksit.
Kështu që u kërkonte klientëve të saj që “të konfirmoni që produktet nuk do të përdoreshin në Rusi”.
Top Channel