Redaksitë e lajmeve ndodhen sot përballë një dileme, nëse duhet t’i transmetojnë ashtu siç janë, të pambuluara, pamjet e masakrës që kryen trupat ruse në Buça të Ukrainës, ku dhjetëra civilë shikohen të shtrirë pajetë nëpër rrugët e qytetit.
Pedagogia e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Iris Luarasi, ka këtë qëndrim përsa i përket kwsaj çështjeje.
Iris Luarasi: Sigurisht që ka rregulla të ndryshme raportimi, në kohë paqe dhe në kohë lufte. Në rastin e luftës diferenca është që ndonjëherë ata trupat e pajetë të lënë rrugëve duke u dekompozuar, janë elementët vendimtarë dhe kryesorë që I bindin edhe më skeptikët, që në atë vend po ndodh një shfarosje e popullatës, që aty po kryhen krime, ka të vdekur dhe krime në masë kundër njerëzimit.
Masakra e Reçakut në Kosovë ku forcat paramilitare serbe vranë 45 shqiptarë të Kosovës në vitin 1999 është një rast që mund t’i referohemi. Nëse ato pamje nuk do t’i kishte parë bota historia nuk do të ishte e njëjta. Ajo masakër i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.
Kur ne raportojmë që janë vrarë 1000 veta, varet se si konceptohet në mendjen e shikuesit dhe dëgjuesit. Por kur ti, vërtet tregon një varr masiv dhe 1000 veta të futur nëpër qese plastike, truri yt pastaj ka mundësi të perceptojë në realitet atë që do të thotë vërtet 1000 veta të vrarë.
Bota nuk do të kishte marrë vesh për masakrën e Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë ku serbët vranë 8000 burra e djem myslimanë. Po ashtu askush nuk do të mësonte për përmasat e sulmeve më gaz helmues mbi kurdët, nga Ali Kimiku famëkeq I Irakut. Apo sulmet kimike ndaj fëmijëve dhe civilëve në përgjithësi në Siri, nëse nuk do të ishin transmetuar pamje.
Një fije e hollë e ndan etikën, nga të treguarit e përmasave të vërteta të një masakre, si ajo që po ndodh në Ukrainë.
Të gjitha mediat prestigjoze, në momentin që transmetojnë pamje të tilla, gjithmonë vendosin një strishë, që paralajmëron se pamjet që ju do të shikoni janë shqetësuese. E në këtë mënyre i takon shikuesit të zgjedhë, nëse i përballon dot ato dhe nëse i shikon apo jo. Në këtë mënyrë e zhvendos përgjegjësinë editoriale nga stacioni televiziv tek shikuesi, i cili e ka më pas vetë në dorë të zgjedhë.
Top Channel