Rusia akuzoi Ukrainën për kryerjen e një sulmi ajror kundër një depoje karburanti në qytetin rus të Belgorodit, një incident që Kremlini tha se mund të ndikojë në bisedimet e paqes, por Kievi mohon përgjegjësinë.
Ministria ruse e mbrojtjes pretendon se dy helikopterë ukrainas goditën objektin në Belgorod, rreth 35 km nga kufiri me Ukrainën, pasi hynë në Rusi në një lartësi jashtëzakonisht të ulët rreth orës 5 të mëngjesit me orën e Moskës.
Zjarri që shpërtheu aty detyroi evakuimin e disa njerëzve, por vonë gjatë ditës kryebashkiaku i Belgorodit, Anton Ivanov tha se shërbimet zjarrfikëse arritën t`i vinin flakët nën kontroll. “Nuk ka asnjë kërcënim për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Të gjithë banorët mund të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha ai në një postim në internet.
Zyrtari më i lartë i sigurisë i Ukrainës hodhi poshtë akuzën ruse, e para nga Moska për një sulm ajror në tokën ruse që kur ajo vetë nisi pushtimin e vendit fqinj në 24 shkurt. Belgorodi është një nga qendrat kryesore logjistike të Rusisë për luftën. “Ata thonë që e bëmë ne këtë, por sipas informacioneve tona kjo nuk korrespondon me realitetin”, u shpreh sekretari i Këshillit të Sigurisë, Oleksiy Danilov.
Më herët, zëdhënësi i ministrisë Ukraine të mbrojtjes Oleksandr Motuzyanyk qe shprehur se ai as nuk do e konfirmonte e as nuk e mohonte rolin e Kievit. “Ukraina aktualisht po kryen një operacion mbrojtës kundër agresionit rus në territorin e Ukrainës, por kjo nuk do të thotë se Ukraina është përgjegjëse për çdo katastrofë në territorin e Rusisë”, u shpreh ai.
Shtëpia e Bardhë tha se nuk kishte asnjë koment mbi akuzat e Kremlinit se depon e karburantit e kishte bombarduar Ukraina.
Top Channel