Pavarësisht bisedimeve të paqes, ukrainasit përgatiten për një luftë të gjatë

01/04/2022 22:50

Në Ukrainën perëndimore, banorët thonë se pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, ata janë të përgatitur për një luftë të gjatë.

 Ata thonë se nuk do të pranojnë një marrëveshje paqeje që i jep Rusisë territore, madje edhe nëse udhëheqësit e tyre mund të arrijnë përfundimisht një marrëveshje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, sjell të rejat e fundit nga qytetet Ternopil dhe Lviv në Ukrainë.

Në Ternopil, një qytet në perëndim të Ukrainës i mbushur me familje të zhvendosura, punonjësit e ndihmave po përgatisin ushqime, rroba dhe gjëra të tjera të nevojshme për viktimat lokale të luftës dhe për t’i dërguar në lindje, ku betejat ende vazhdojnë pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme të paqes.

Shumë prej tyre thonë se nuk duan një marrëveshje paqeje që do t’i jepte territore Rusisë, ndaj ata po përgatiten që lufta të zgjasë me muaj apo edhe më gjatë.

“Ne nuk duam që këto bisedime paqeje të përfundojnë në një marrëveshje që do të ishte e keqe për Ukrainën. Ne duam të çlirojmë tokën tonë dhe për këtë jemi gati të luftojmë deri në fund”, thotë Ivanna Hoshii, banore e qytetit Ternopil.

Udhëheqësit fetarë të zonës i bëjnë jehonë ndjenjës popullore, por ata shqetësohen për ndikimin shkatërrues që lufta ka patur tashmë tek luftëtarët dhe civilët ukrainas, duke përfshirë miliona të larguar.

“Lufta sjell kaos dhe shkatërrimin. Njerëzit rrënohen përbrenda sikurse shkatërrohen qytetet. Nuk je më i njëjti njeri pas luftës”, thotë Mykola Kwich, kapelan ushtarak.

Qytetet e mëdha në lindje tani duken të braktisura. Rajonet në perëndim, si qyteti Lviv, janë të mbushura me njerëz të zhvendosur, shumë prej tyre të ndarë nga të dashurit e tyre.

“Vajza me fëmijët janë në Sllovaki. Vajza e madhe është në Kiev dhe unë dhe dhëndri im jemi këtu në Lviv”, thotë Lyubava, një fermere e zhvendosur.

Ajo shpreson që lufta të përfundojë së shpejti sepse fermerët duhet të fillojnë mbjelljet nëse do të ketë korrje këtë vit.

Punonjësit e ndihmave në Ternopil thonë se kanë frikë se Ukraina mund të mbetet në një luftë të pafund. Ndërsa ata mund të refuzojnë idenë e heqjes dorë nga toka ukrainase, disa vullnetarë thonë se ende i mbështesin bisedimet e paqes.

“Gjithmonë duhet të ngresh zërin. Njerëzit e zgjuar duhet të flasin sepse natyra njerëzore është krijuar në mënyrë që njerëzit të komunikojnë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të arritur një armëpushim”, thotë Roman Demush, një prift që po jep ndihmën e tij.

Ai thotë se kur udhëheqësit negociojnë, kjo ul dhunën në terren. Por klerikë të tjerë paralajmërojnë se nëse arrihet një marrëveshje, ajo do të jetë e vlefshme vetëm nëse njerëzit mbajnë premtimet e bëra në pakt./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA