Pala ukrainase dhe ajo ruse do të mbajnë të premten një raund tjetër negociatash por kësaj radhe nëpërmjet një lidhjeje video.
Ukraina vazhdon të insistojë në marrëveshjen e armëpushimit si dhe kërkon garanci sigurie, ndërsa ka pranuar të bjerë dakord për statusin e të qenit vend neutral si dhe të mos i bashkohet NATO.
Nga ana tjetër përpara këtij takimi, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov nga India tha se nuk ka ende një marrëveshje të dakorduar me Ukrainën, por këmbënguli se bisedimet mes palëve duhet të vazhdojnë.
Në një konferencë shtypi në Nju Delhi, Lavrov tha se kishte indikacione për sa i përket njohjes nga Ukraina se ata nuk mund të ishin pjesë e një blloku apo BE dhe nuk mund të kishin një status bërthamor.Ai gjithashtu pretendoi se tani ka më shumë mirëkuptim nga ukrainasit për pozicionin e Rusisë në Donbas dhe Krime.
Pas bisedimeve të paqes mes palëve në Stamboll këtë javë, Lavrov tha se zyrtarët ukrainas i kishin përcaktuar kërkesat e tyre në letër dhe Kremlini po “përgatiste përgjigjen”.
Ministri i Jashtëm rus po zhvillon një takim me udhëheqësit e Indisë në Nju Delhi me qëllimin që të mbajë fuqitë aziatike në anën e saj.
Top Channel