Ish-deputeti socialist Alqi Bllako i vënë tashmë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe korrupsion, është nën arrest.

Ndonëse mandatin Bllako e dorëzoi para se të mblidhej Këshilli i Mandateve dhe Rregullores, procesi i tij deri në cuarjen në pranga pasoi hije dyshimi, apo hamendësime për një largim të mundshëm të tij. Në njoftimet që pasuan vendimet e GJKKO për masën e arrestit ndaj personave të përfshirë në hetimin për inceneratorët, masa e ish deputetit socialist nuk reflektohej në vendimin zyrtar shpërndarë mediave.

Mesditën e së enjtes, u njofua se Alqi Bllako ishte vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por sërish informacioni nga ky institucion mungoi. Ndërsa mbërritja e ish-deputetit socialist në ambjentet e policisë së Tiranës nuk u pa nga kamerat e pozicionuara aty prej mëngjesit të së enjtes.

Pas masës ‘arrest me burg’ dhënë nga GJKKO, policia ndërmori një sërë kontrollesh me qëllim ekzekutimin e vendimit, ndërsa orët që pasonin shtuan dyshimet për një largim të ish deputetit Bllako. Ajo c’ka shtoi më shumë dyshimet ishte një foto e postuar në rrjete sociale nga avokati i tij, Sokol Hazizaj, ndërsa shihej dritarja e një avioni me mbishkrimin ‘Mirëupafshim’.

Mëngjesin e sotëm, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ndërsa foli për lajme të rreme të publikuara në media, shkruante se ish deputeti Bllako ndodhej në  Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.” – thuhej në njoftimin e policisë.

Por, ndërsa policia nxitoi të përgënjeshtrojë mediat, vetë atë e përgënjeshtroi  Prokuroria e Posacme, sipas së cilës vendimi për arrestimin e ish deputetit Alqi Bllako u ndërrmor orët e para të mëngjesit të sotëm.

“Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022.”-saktësohet në shkresën e SPAK, për ish deputetin Bllako.

Ndaj ish deputetit Alqi Bllako, Prokuroria ka ngritur akuza për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i fuknsionarëve të lartë shtetërorë”. Ai  dyshohet se në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA