Në shahun politik të Tiranës, Edi Rama vazhdon luan nga pozitat e fituesit.

Një natë më parë, mes gazetareve, ai hasi jo pak vështirësi mes pyetjeve, por vetëm me një përgjigje dha shenjën se përse ai ndihet i sigurt në vend të parë: pasi nuk ka kundërshtare.

Unë flas për të gjallët ju të vdekurit”, tha Rama.

Sali Berisha mendon pak më ndryshe. I dale fitues brenda opozitës pas 6 marsit, i zyrtarizuar nga një vendim gjykate, dhe sfidues edhe sot me pjesëmarrjen në mbledhjen e grupit parlamentar nga ku e kishin përjashtuar Basha dhe amerikanet, Sali Berisha sot filloi aksionin e formalizimit si lider i opozitës.

Ose dera ku Rama duhet te trokasë për zgjidhjen e halleve të mëdha të vendit.

“Do thuash ti ka nisur punën për të blerë deputëtë, do të dështojë me turp”, tha Berisha.

Në pamje të parë duket një denoncim  për një aferë politike të Ramës.

Në të vërtetë  ishte sinjali që Berisha i çoi të parit të socialistëve për t’i dhënë shansin e përfshirjes në konsultimet presidenciale.

Kjo do t’i vlente Berishës për të çimentuar pozitat në krye të PD e nxjerrë tërësisht jashtë loje Lulzim Bashën në të qenurit faktor, në tryezën e konsultimeve për zgjedhjen e presidentit edhe sikur ato Edi Rama t’i bëjë thjesht për t’i thënë ndërkombëtarëve se edhe opozita u përfshi në proces.

Sipas Kushtetutës, maxhoranca mund ta zgjedhë vetë presidentin në raund të tretë me shumicë të thjeshtë, të cilën ajo e ka.

Por nuk do të ishte hera e parë që një shumicë të detyrohej të ulej me opozitën, për të zgjedhur një president konsensual në dy raundet e para.

Siç ndodhi në vitin 2002, kur megjithëse shumica socialiste i kishte votat, ajo u detyrua të ulej e të zgjidhte jo vetëm një president konsensual, por një emër të propozuar nga opozita. Por situata në 2022 komplikohet pasi në një rast të tillë, me cilën opozitë duhet të ulet Rama? Me Berishën?

Vetë Sali Berisha i ka një borxh Edi Ramës që daton nga Korriku 2007 kur i bleu 7 deputetë socialistë,  që votuan pro zgjedhjes së Bamir Topit president.

Me Sali Berishën, Edi Rama ka bërë marrëveshje të mëdha si ndryshimet kushtetuese në vitin 2008.

Por Berisha i 2008 nuk është ai i sotmi, një ‘non grata’ i SHBA-së.

Dhe kjo shpjegon përse Lulzim Basha u shfaq sot i qeshur në oborrin e kuvendit.

Ai ka sot pas vetes 10 deputetë.

Në kushtet kur PS ka 74 mandate plus tre socialdemokrate, i duhet vetëm edhe 7 të tjerë për ta zgjedhur presidentit që në raundin e parë.

Duke parë klimën e sotme të grupit parlamentar të PD,  Lulzim Basha është më pranë të ulurit përballë Ramës në pazarin presidencial për t’i dhënë 7 votat e duhura, por pse jo dhe emrin e presidentit të ri, maxhorancës së majtë.

Një veprim që në heshtje dhe distancë do merrte edhe aprovimin amerikan.

Por loja sapo ka filluar. Berisha nuk ka vdekur, Rama nuk ka blerë dhe Basha nuk ka ikur.

Përkundrazi entuziast si gjithmonë për fitoret e tij, ai premton kthjellimin e motit.

“Ujërat mund të jenë akoma të turbullta, por mund të qetësohen”, tha Basha.

Për Top Channel Muhamed Veliu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA