Manastirliu në Kuvend: Të palëkundur për të mbajtur zotimet tona edhe në këto kohë me kriza globale

31/03/2022 17:52

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në Parlament ka deklaruar se në këto kohë të krizave globale, qeveria shqiptare është treguar e palëkundur për të mbajtur të gjitha zotimet e premtuara para qytetarëve.

Manastirliu nënvizoi se pavarësisht pandemisë COVID19 më cilën sistemi shëndetësor u përball, profesionistët e shëndetit u mbështetën me rritje pagash +40%, ndërsa rritja do të vijojë edhe me 6% nga muaji korrik i këtij viti.

“Në këto kohë të mbushura me kriza globale dhe me ngjarje jashtë kontrollit ndonjëherë edhe të njeriut, ne nuk jemi lëkundur për asnjë çast në përmbushjen e detyrimeve që na takojnë dhe zotimeve që kemi marrë përsiper përballë njerëzve. Kjo qeveri ka qëndruar dhe do të vazhdojë t’i qëndrojë çdo angazhimi të ndërmarrë për mbështetjen e tyre. Është fakt se qeveria ka pasur dhe ka në prioritetet e saj politikën e rritjes së pagave, për këtë kategori profesionistësh. U zotuam për rritjen e pagave dhe vetëm një vit më parë dhe po i referohem, vetëm 2021 pasi i referohem vitit të vështirë të pandemisë, në janar 2021 ne rritëm 40% pagat për personelin shëndetësor. Me buxhetin e këtij viti duke filluar nga korriku pagat për personelin shëndetësor do të rriten sërish me 6% duke mbajtur kështu zotimin tonë”, tha Manastirliu.

Duke folur për paketën e rezistencës sociale, Ministrja Manastirliu tha se 576 mijë qytetarë do të mbështeten nga kjo paketë.

“Paketa e Rezistencës mbështet 576 mijë qytetarë të këtij vendi të cilët për tre muajt e ardhshëm do të kompesohen për rritjen e çmimeve të shportës bazë të shkaktuar prej rritjes të çmimeve në tregjet ndërkombëtarë duke filluar nga muaji prill. Kjo paketë mbështet grupet më vulnerabël dhe që preken më shumë e që përfshihen këtu pensionistë që përfitojnë më pak se paga minimale, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuara, paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbrit, invalidët e punës si dhe të gjitha familjet që përfitojnë nga mbështetja e programit të ndihmës ekonomike. Janë 64 mijë familjet përfituese që do të mbështeten nga kjo paketë duke u mbështetur direkt për 3 muaj me 3 mijë lekë në muaj si efekt i inflacionit të llogaritur nga INSTAT për impaktin e produkteve bazë të çmimeve të shportës”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se me buxhetin e 2022 paketa e Ndihmës Ekonomike është trefishuar për fëmijët pa kujdes prindëror, është dyfishuar për familjet me mbi 3 fëmijët dhe rritur me 10% për të gjithë familjet përfituese të kësaj skeme.

“Mos harrojmë që buxheti 2022 duke filluar nga janari i këtij viti është rritur sa i përket programit të ndihmës ekonomike me 1.5 miliard lekë dhe përkatësisht kemi rritur me dy herë masën e Ndihmës Ekonomike për familjet përfituese të kësaj skeme të cilët kanë mbi tre fëmijë, kemi trefishuar masën e ndihmës ekonomike nga Janari i këtij viti për fëmijët pa kujdes prindëror, kemi rritur për familjet e tjera masën e ndihmës ekonomike me 10%”, theksoi Manastirliu

Paketa e rezistencës sociale mbështet 576 mijë qyetetarë, të cilët për tre muajt e ardhshëm do të kompensohen për rritjen e çmimit për produktet e shportës. Qeveria ka vendosur që për 3 muajt e ardhshëm një paketë ndihme prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për 3 muaj radhazi për mbështetjen për rritjen e çmimeve të shportës. 202 mijë pensionistë që do përfitojnë, mbi 52 mijë persona me aftësi të kufizuar, mbi 6 mijë e 100 individë paraplegjik dhe tetraplegjik, mbi 12 mijë të verbër dhe mbi 64 mijë familjet që përfitojnë nga paketa e ndihmës ekonomike. Qeveria ka vendosur të indeksojnë në masën menjëherë pesnionet në masën 33 milion dollarë e cila do të reflektohet menjëherë në pensionin e radhës për 673 mijë pensionistë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA