Paketa e Rezistencës Sociale është miratuar nga Kuvendi gjatë seancës së sotme parlamentare me 77 vota pro dhe 40 kundër.

Ndryshimet në ligjin për tatimet mbi të ardhurat janë miratuar gjithashtu ditën e sotme me 77 vota dhe 38 kundër. Kuvendi ka miratuar gjithashtu emërimin e Natasha Ahmetajt dhe Anastas Angjelit si anëtarët e rinj të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Angjeli ka marrë 90 vota pro, ndërsa Ahmetaj 80 vota pro.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij ne Kuvend, tha se me Paketën e Rezistencës Sociale do të shtohet mbështetja për naftë falas për fermerët, ndërkohë që do të financohen fermerët me 14 mln dollarë për këtë skemë. Në lidhje me krizën energjetike, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Ministria e Ekonomisë po zhvillon një studim për familjet e pasura. Nga foltorja e Kuvendit, Rama sqaroi se ky studim po bëhet për të parë mundësinë që të bëhet një ndarje e përkohshme e familjeve që mund të paguajnë më shumë për faturën e energjisë elektrike.

Paketa e Rezistencës Sociale

  1. 36 milionë $ për indeksimin e pensioneve (637,542 përfitues)
  2. Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj (434 mijë përfitues)
  3. 14 milionë $ mbështetje për fermerët me naftë pa taksa (+ 5 milionë $)
  4. 5 milionë $ mbështetje për të gjithë qytetarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetëse
  5. Nga muaji prill:

–    Zero taksë për pagat deri në 40 mijë

–    Përgjysmim takse mbi pagat deri në 50 mijë lekë

–    Ulje e taksës mbi pagat nga 150 deri në 200 mijë lekë

  1. Paga minimale rritet në 32 mijë lekë
  2. 200 milionë $ financim i mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël

Seanca filloi me interpelancën me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Frida Krifca, kërkuar nga deputeti Zef Hila dhe më pas diskutimet vijuan sipas rendit të ditës, ku u shqyrtuan 2 projektligje, 2 akte Normative të ndërmarra në kuadër të Paketës së Rezistencës Sociale për përballimin e situatës së krijuar në vend për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë, energjisë elektrike dhe hidrokarbureve, si dhe u zgjodhën si anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj dhe z. Anastas Angjeli.

Aktet Normative

Fillimisht diskutimet parlamentare nisën me shqyrtimin e Aktit normativ nr. 3, datë 12.3.2022 “Për ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2021 , “Për buxhetin e vitit 2022″” dhe Aktit Normativ nr. 4, datë 12.3.2022 “Për një ndryshim në ligjin nr.113/2021 “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.

Deputetët e opozitës gjatë diskutimeve të tyre u shprehën kundër me 2 Aktet Normative të paraqitura nga qeveria, duke i vlerësuar si të pamjaftueshme për përballimin e situatës së krijuar pas rritjes së çmimeve të ushqimeve të shportës dhe karburanteve dhe se nevojitet rishikimi i politikës fiskale, heqja e taksës së qarkullimit, ulja e TVSH për mallrat bazë të shportës dhe ndërprerja e pagesave për 3 inceneratorët. Sipas opozitës qeveria duhet të bëjë rritje reale të pagave dhe pensioneve. Deputetët e mazhorancës gjatë diskutimeve u shprehën se Aktet Normative garantojnë mosrritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla, mbështesin shtresat në nevojë që preken nga situata e rritjes së çmimeve, por mbi të gjitha garantohet ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit. Gjatë diskutimeve u theksua se një mbështetje e madhe që vjen përmes Paketës së Rezistencës Sociale është subvencioni me 100 lekë për litër nafte për kompanitë e transportit publik çka bënë të pandryshuar koston e biletave për qytetarët, si dhe vijon mbështetja për naftën pa taksa për fermerët duke e çuar mbështetjen buxhetore për këtë kategori në 14.5 miliardë lekë. Lidhur me Aktin Normativ për ndryshimin e ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, deputetët e shumicës parlamentare vlerësuan se do të jenë 425 mijë të punësuar ose 60.7 % që do të përfitojnë zero taksë, 58 mijë ose 8.3% me pagë 40-50 mijë lekë do të paguajnë vetëm 0.7 % të pagës bruto dhe 166 mijë ose 23.7 % do të paguajnë nga 1.5 deri në 9% të pagës bruto.

Pas diskutimeve, Akti Normativ nr. 3, datë 12.3.2022 “Për ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2021 , “Për buxhetin e vitit 2022″” u miratua me 73 vota pro, 40 kundër dhe 0 abstenim. Ndërsa Aktit Normativ nr. 4, datë 12.3.2022 “Për një ndryshim në ligjin nr.113/2021 “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar” u miratua me 77 vota pro, 38 kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligjet

Seanca e sotme plenare shqyrtoi projektligjin “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”. Deputetja e opozitës, znj. Albana Vokshi u shpreh kundër projektligjit, duke theksuar se cënon transparencën. Ndërsa deputetja e shumicës parlamentare znj. Ermonela Felaj gjatë diskutimet të saj theksoi se projektligji nxit transparencën dhe llogaridhënien e organeve të sektorit publik, si dhe synon transpozimin e Direktivës (BE) 2019/1024, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 20.6.2019, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, lidhur me ripërdorimin e informacionit të sektorit publik, duke përditësuar kuadrin ligjor me avancimin e teknologjive digjitale. Ndryshimet ligjore do të nxisin më tej inovacionin digjital, si dhe ekonominë e të dhënave. Ky projektligj u miratua me 73 vota pro, 44 kundër dhe asnjë abstenim.

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe zbatimin e kontratës me shoqërinë “Jones Group International” për forcimin e sigurisë kibernetike”, i cili synon përmirësimin e sistemit të sigurisë kibernetike në institucionet shtetërore; si dhe mbrojtjen e të dhënave elektronike që administrojnë dhe përpunojnë këto institucione shtetërore. Pas diskutimeve, projektligj u miratua me 98 vota pro,17 kundër dhe 2 vota abstenim.

Projektvendimet

Kuvendi shqyrtoi kandidaturat për dy vakancat e krijuara në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në nisje të seancës, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, z.Enkelejd Alibeaj propozoi që në rendin e ditës të shtohej edhe shqyrtimi i kandidaturës së z.Mateo Spahos, si kandidaturë e mbështetur nga Partia Demokratike. Kandidatura e z.Spaho u rrëzua nga komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe projektvendimi nuk kaloi për shqyrtim në seancë plenare.

Ndërkohë pas procesit të votimit dy anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u zgjodhën znj. Natasha Ahmetaj me 80 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim dhe z. Anastas Angjeli, i cili u votua me 92 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 20:50.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA