Zëdhënësi i Pentagonit: Rreth 20% e trupave rusë po lëvizin nga Kievi drejt veriut

30/03/2022 22:22

Lëvizjet e trupave rusë larg kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, sipas Pentagonit, janë pjesë e planit rus për ripozicionimin dhe përqendrimin e forcave në pjesë të tjera të vendit.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se rreth 20% e trupave rusë po lëvizin nga Kievi drejt veriut, ndoshta për të shkuar në Bjellorusi. Megjithatë ekziston frika, shton ai, se ata mund të rikthehen sërish, madje më të fortë për të kryer operacione të tjerë në Ukrainë.

Një pjesë e madhe e rusëve ndodhen pranë aeroportit Hostomel afër Kievit, vendi ku u zhvilluan përballjet më të ashpra në ditët e para të sulmit rus në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Në ditën e 35-të të luftës, ka pasur pak evakuuime, për shkak se siç thonë zyrtarët ukrainas, bombardimet penguan operacionet për largimin e civilëve.Mbi katër milionë njerëz janë larguar nga vendi që nga fillimi i luftës, raportojnë Kombet e Bashkuara, mes të cilëve 2 milion janë fëmijë.

2.5 milionë të mitur të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, ç’ka do të thotë se 60% e fëmijëve në Ukrainë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas UNICEF.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA