Kriza e çmimeve po tkurr konsumin. Qytetarët shprehen se po blejnë më pak dhe po orientojnë gjithnjë e më shumë shpenzimet vetëm te ushqimet për shkak të kostove të rritura të jetesës.
Ndërsa tregtarët ankohen për rënien e fuqisë blerëse edhe pse pranojnë se çmimet janë të papërballueshme për konsumatorët.
“Të gjitha nga pak janë rritur. Perimet, frutat. Produktet bazë po e po janë rritur. Kemi marrë 3 do marrim 2 tani”, tha një blerës.
“Krejt janë rritur. Duke filluar nga djathi, gjiza, mielli sheqeri e gjërat bazike të gjitha janë rritur. E ndjejmë sa s’ka, po s’kemi bëjmë. I kemi lënë gjërat e tjera, po blejmë veç ushqim”, tha një blerëse.
“Janë pak të larta. Vaji më duket më i rritur. Me pak vështirësi i arrijmë, sepse kemi edhe hallin e ilaçeve”, tha një tjetër blerëse.
“Çmimet janë rritur shumë, pothuajse të gjitha sidomos perimet dhe blerës nuk ka fare. Domatet, specat shumë të shtrenjta. Nuk ka njerëz, nuk blejnë fare. Pyesin dhe ikin:’Shumë shtrenjtë’-thonë. Janë të papërballueshme edhe për njerëzit”, tha tregtarja.
Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se rënia e konsumit në këtë periudhë krize është e pashmangshme dhe efektet në ekonomi pritet të jenë afatgjata.
“Me këto çmime padyshim ulet konsumi pasi me të njëjtën sasi parash ne do blejmë më pak dhe kjo sjell një cikël efektesh. Ulja e konsumit do të thotë kërkesa e tregut është më pak. Tkurrja e sasisë që do prodhojnë kompanitë mund të çojë në zvogëlim të vendeve të punës, çka mund të sjellë në tkurrje të të ardhurave familjare që do të çojë më pas sërish në rënie të fuqisë blerëse”, tha ekspertja për ekonominë, Teuta Nunaj.
Përballë këtyre çmimeve të rritura që pritet ta mbajnë gjatë mbi objektiv inflacionin duke goditur shtresat më në nevojë, ekspertët propozojnë gjithëpërfshirje të masave mbështetëse nga qeveria.
“Duke qenë se efektet janë të përkohshme edhe veprimi i paketës është i përkohshëm. Duhet të shtrihet në kohë. Më shumë preken shtresat me të ardhura të pakta dhe shtresa e mesme që nuk do investojnë më në shtëpi, në blerje makinash apo disa shërbime e mallra të tjera që nuk janë jetike, por të nevojshme.”
Shqiptarët shpenzojnë rreth 41.6% të totalit të të ardhurave të tyre për ushqime dhe çdo shtrenjtim që ndodh përkthehet në kosto shtesë për ta, në një kohë kur pagat nga ana tjetër mbeten në vendnumëro.
Top Channel