Një 28-vjeçar i identifikuar si E. J. është arrestuar nga policia e Tiranës pasi tentoi të digjte automjetin në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Oktan”, u vu në pranga i riu që akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Bazuar në provat e grumbulluara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 ka rezultuar se ky shtetas, më datë 25.03.2022, ka hedhur një shishe, të dyshuar me lëndë djegëse, poshtë një automjeti në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë.
Në pamjet duket se lëviz me biçikletë dhe në kurriz ka çantën brenda së cilës mbante shishen me benzinë.
Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës , shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë), veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, një shishe plastike e mbushur me benzinë, një pushkë sportive (detare), një biçikletë dhe dy aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel