Vaksinimi në Republikën e Shqipërisë nis që nga mosha 12 vjeçare. Kjo me vendim të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Gratë shtatzëna mbeten një kategori e brishtë, ku procesi i vaksinimit ecën me ritme të ngadalta.
Enkriketa Kroi: Ka një ngërç të përgjithshëm, në Shqipëri sidomos, tek gratë shtatzëna, për të mos u vaksinuar me vaksinën anticovid. Edhe pse, në shumë institucione ku punojnë ua kanë kërkuar me ngulm certifikatën e vaksinimit. Sërish kemi parë një lloj ngurrimi për të mos e kryer vaksinën.
Me protokoll të shkruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk kemi që gratë shtatzëna duhet patjetër të vaksinohen me vaksinën anticovid. Sikundër ka protokoll për vaksinime gjatë periudhës së shtatzënisë nga viruse të tjera siç është nga AH1N1, pra virusi I gripit normal. Studimet e deritanishme kanë treguar që prej një viti e gjysmë, që vaksina është hedhur në treg, Shtetet e Bashkuara mbajnë rekord për numrin më të madh të grave shtatzëna të vaksinuara, nuk është parë asnjë lloj komplikacioni, as tek gratë shtatzëna, e mbi të gjitha tek bebi.
E preferueshme do të ishte që këto vaksina të shmangeshin në 3-mujorin e parë, që është edhe tremujori më i rëndësishëm i organogjenezës, pra formimit të organeve të bebit. Por edhe tek ato gra, që janë vaksinuar pas javës së 12, nuk janë parë komplikacione as gjatë muajve të mbetur të shtatzënisë, as pas lindjes, tek fetusi.
Gruaja shtatzënë: Jam vaksinuar para se të planifikoja shtatzëninë, jam vaksinuar me të dyja dozat. Gjatë shtatzënisë nuk e kam kaluar Covidin e as problem nuk kam patur. Jam në muajin e nëntë dhe shumë shpejt bëhem nënë.
Top Channel