Zëvëndësministrja e Mbrojtjes ukrainase Hanna Maliar, ka bërë me dije ditën e sotme se forcat ruse po përpiqen të krijojnë një korridor rreth kryeqytetit ukarainas, në mënyrë që të arrijnë të bllokojnë furnizimet ushqimore në periferitë e Kievit.
“Armiku po përpiqet të krijojë një korridor rreth Kievit dhe të bllokojë rrugët e transportit. Mbrojtja e Kievit vazhdon. Forcat tokësore, forcat e sulmit ajror, forcat e operacioneve speciale, mbrojtja territoriale janë të përfshira. Banorët e Kievit janë gjithashtu shumë aktivë në mbrojtjen e Kievit. Është shumë e vështirë për armikun. Por ne duhet të flasim sinqerisht: Në fund të fundit, armiku nuk po heq dorë nga përpjekjet për të kapur Kievin. Sepse të marrësh Kievin në thelb do të thotë të marrësh Ukrainën. Kështu që ky është qëllimi i tyre.”– tha Hanna Maliar.
Administrata ushtarake rajonale e Kievit tha në një deklaratë ditën e sotme se zonat përreth periferive perëndimore të Bucha, Irpin, Hostomel dhe Makariv si dhe rruga për në qytetin e Zhytomyr në perëndim dhe zonat në veri të Vyshhorod mbeten shumë të rrezikshme dhe të prirura për granatimet nga forcat ruse.
“Gjatë 24 orëve të fundit, ka pasur më shumë se 40 incidente të bombardimeve nga trupat ruse të banesave dhe infrastrukturës sociale”, thuhet në deklaratë.
Top Channel