Koalicioni parazgjedhor, “Fillimi i ri”, i Partisë Demokratike dhe Alternativës Shqiptare si dhe tre partive të tjera, në mesin e tyre edhe Lëvizja Qytetare “URA” e të mandatuarit për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Dritan Abazovic triumfoi në zgjedhjet lokale në Ulqin.
Rezultatet paraprake tregojnë se se ai ka siguruar 15 mandate në Kuvendin rajonal 33 vendesh. Abazovic dhe ndjekësit e tij kremtuan në rrugë duke thirrur me të madhe në shqip: Fitore!
Më pas, ai ia mori dhe valles me këngë shqiptare.
Nga ana tjetër, koalicioni i dy forcave politike shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Lidhjes Demokratike, fitoi 5 mandate, Forca e Re Demokratike, e cila ka dalë e vetme në këto zgjedhje fitoi 5 mandate, koalicioni i Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq me Partinë Boshnjake, 5 mandate dhe partia e spektrit politik malazez, Demokratët, fituan 2 mandate.
Gjithsej 5 lista zgjedhore morën pjesë në zgjedhjet e së dielës në komunën e Ulqinit, e banuar me shumicë shqiptare. Të drejtë vote kishin në këtë komunë mbi 20 mijë banorë; pjesëmarrja në votime llogaritet të ketë qenë 55 për qind. Zyrtarë lokalë e vëzhgues të zgjedhjeve pohuan se procesi ka qenë përgjithësisht i qetë dhe nuk janë shënuar parregullsi të theksuara, e as shkelje procedurale. Zgjedhje lokale pati dhe në qytetin verior, Berane, ku pjesëmarrja ka qenë më e lartë, 70 për qind.
Lufta atje ishte më ë ashpër mes Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviç dhe partive pro-serbe dhe pro-ruse, që janë përpjekur të ruajnë pushtetin në këtë komunë. Rezultatet paraprake tregojnë se koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve fitoi më shumë vota dhe do të ketë 9 mandate në Kuvendin e ri të Beranes, ndërsa Partia popullore serbe u spostua në vend të dytë.
Top Channel