Këto pamje nuk i përkasin ndonjë zone lufte në Ukrainë, por Shkodrës. Qyteti u zgjua i tronditur pas dy shpërthimeve të fuqishme me tritol, por fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzish. I pari është regjistruar në orën 2.20 minuta, pranë stadiumit “Loro Borici”, në katin e parë të një pallati, ku është i vendosur një supermarket në pronësi të shtetasit Florenc Marku.  

Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale ndërsa autorët duket se e kanë mirëmenduar forcën goditëse të lëndës plasëse pasi vetëm 20 metër më larg, ndodhej një karburant.

Vetëm 5 minuta më vonë, një tjetër shpërthim edhe më i fuqishëm ndodhi në qendër të qytetit, ballë për ballë më institucionet e Prefekturës së Shkodrës dhe Këshillit të Qarkut.  Lënda plasëse i është vendosur një dyqani veshjesh por godina është në pronësinë e Xhemal Bushatit, ish kandidatit për kryetar bashkie të Partisë Demokratike. Forca goditëse jo vetëm ka tronditur të gjithë zonën dhe familjen Bushati që banon në këtë godinë por ka shkaktuar dëme materiale edhe në bizneset dhe institucionet përreth.

Për sulmin ndaj Bushatit, reagoi edhe Partia Demokratike e Shqipërisë. Selia blu dënon ashpër aktin ndërsa thotë se gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim duke akuzuar për aleanca mes qeverisë dhe krimit.

Partia Demokratike u kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit e këtij agresioni. Ndërkohë policia dhe prokuroria e Shkodrës kanë nisur hetimet per këto ngjarje, duke marrë në pyetje dy drejtuesit e bizneseve ndërsa në ndihmë pritet tu vijnë dhe kamerat e sigurisë të cilat janë të shumta në të dy zonat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA