Tensionet nxorën krye sërish në Kosovë, kur Këshilli Gjyqësor pezulloi kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç, e cila së bashku me disa drejtues stacionesh policore kishte marrë pjesë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Serbisë në Beograd, ku ishte i pranishëm edhe presidenti serb.
Pezullimi i saj solli reagimin e menjëhershem të Aleksandar Vuçiç, që tha se me këtë veprim, kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkeli marrëveshjen e Brukselit me serbët. Pas këtij momenti, u raportua me shqetësim se Njësi Speciale të policisë së Kosovës janë nisur drejt Mitrovicës.
Megjithatë, zëdhënësi i saj Baki Kelani sqaroi për mediat vendase se bëhet fjalë për lëvizje të zakonshme që nuk lidhen me ndonjë aktivitet të caktuar, duke u përpjekur kështu të minimizojë rëndesën e situatës. Vetë Kurti sakaq deklaroi se me çështjen e zgjedhjeve, Serbia është përpjekur ta fusë në një kurth ku ai vetë të përfundonte duke mos e njohur Republikën e Kosovës.
“Nuk është e vërtetë që unë me këtë shkëmbim të letrave kam synuar të sigurojë njohjen e Serbisë, unë e di se Serbia nuk do të na njohë në këtë mënyrë. Kushtetutshmëria e Kosovës dhe ligjit në vendin tonë, duhet të respektohen pikë së par inga vet unë edhe në një komunikim të tillë”, ishte komenti i tij.
Kurti tha se kritika e QUINT’it pas refuzimit të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës ishte mjaft e ashpër, por ne duhet të vazhdojmë duke e respektuar vendin tone, theksoi ai duke shtuar se “pranon më mirë kritikat sesa cënimin e integritetit territorial”.
Top Channel