Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha në foltoren e Kuvendit këtë të enjte se 30% e shqiptarëve sot jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërsa vendi po zhytet në një krizë të thellë ekonomike.
Fjala e plotë e Jorida Tabakut:
Keni ndërtuar një politikë fiskale në kurriz të shqiptarëve që sot po ju kthehet kundër. Kur ne kërkonim një buxhet tjetër për qytetarët në 2022 Rama fliste për satelitët.
Shqipëria është në fillimin e një krize të thellë ekonomike që po i ngjason përditë e më shumë një staglfacioni ekonomik. Për qytetarët e nderuar; stagflacioni është një situatë ku inflacioni në rritje shoqërohet me rritjen e papunësisë dhe me një kërkesë në ulje për të blerë produkte si pasojë e rritjes së kostove dhe të ardhurave gjithnjë e më të pakta.
Situata në vendin tonë pritej që të vinte ndonëse lufta nuk kishte nisur ende mes Rusisë dhe Ukrainës. Prandaj sot diskutimi dhe mocioni i debatit që do të shoqërohet me një rezolutë në përfundim të tij nga ana e partisë Demokratike.
Situata ekonomike pritej që të ishte problematike pasi ekonomia globale u shoqërua me shtrëngësa si pasojë e post-COVID dhe problemeve që pati zinxhiri i furnizimit me produkte në gjithë botën. Kjo qe një situatë që u shoqërua në vendet e Europës, SHBA dhe më gjerë me një kontraktim të ofertës së këtyre produkteve dhe për rrjedhojë rritjen e inflaiconit.
Qeverisë shqiptare, ne si opozitë, i kërkuam të ishte tejet e kujdesshme kur diskutuam buxhetin e shtetit dhe në vend që ajo të lironte dorën për shpenzime në PPP dhe konesione, i propozuam që të ishte shumë më konservatore pasi e ardhmja ishte shumë e pasigurtë madje më e pasigurtë se sa ka qenë herët e tjera. Por mazhoranca kundërshtoi me arrogancë.
Në kohën e krizës së shpallur për Energjinë Elektrike, ne vumë në dukje që manaxhimi më i mirë i kaskadës së hidrocentraleve dhe jo vetëm do të prodhonte një tjetër histori në Shqipëri dhe në buxhetin e shtetit. Por qeveria vendosi ndryshe! Ne i ofruam qeverisë të manaxhonte më mirë rezervat hidrike dhe energjitike ndërsa kryeministri Rama fliste për Satelitin e parë që do të dërgonte në hapësirë.
Kur qeveria mori një tjetër borxh nga jashtë duke e rritur vlerën e borxhit publik në 100% të PBB-së, i kërkuam asaj që të ishte më e matur pasi situata ekonomike nuk ishte shumë e mirë. Struktura e ekonomisë shqiptare është tejet vulnerabël në raport me goditjet që merr tregu vendas dhe sidomos të ardhurat e qytetarëve.
Mazhoranca Rama ka implementuar një politikë fiskale seleksionuese dhe me taksa që vendosen tek 95% e shqiptarëve duke shmangur vetëm 5% të atyre që janë oligarkë, koncesionarë dhe fitues të PPP-ve. Sa herë që afrohen zgjedhjet qeveria bën nga një rregullim qoke, siç bëri me biznesin e vogël të cilin do ta fusë në skemën e tatimit edhe një herë shumë shpejt siç edhe programi i miratuar nga Ministria e Financave ka nxjerrë si konkluzion. Kështu kur lexoni në faqet dhe llogaritë publike të ministrave të qeverisë Rama se Shqipëria është një vend ku biznesi vogël nuk paguan taksa, është një gënjeshtër e përkohshme pasi ato e kanë në programin e buxhetit afatmesëm që do të rivendosin taksat për këtë biznes. E kanë shtyrë për pak, por do t’ju taksojnë.
Kriza ekonomike që ka nisur të ndjehet mirë që në dhjetorin 2021 i ka gjetur qytetarët shqiptarë kështu: Familjet shqiptare sipas EUROSTAT dhe përpara kësaj krize të rritjes së çmimeve shpenzojnë 42% të të ardhurave për produktet e shportës ushqimore dhe pijet. Ky është niveli më i latë i shpenzimeve për këtë zë në raport me të ardhurat. Vendet e rajonit e kanë 35% ndërsa ato të BE e kanë 12%. Çdo të thotë kjo? Do të thotë që shqiptarët kanë shpenzuar deri më tani 13 mln euro më shumë dhe do të shpenzojnë edhe më shumë pasi situata pritet të përkeqësohet.
Shqipëria është vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon duke qenë më poshtë se sa edhe Mali i zi. Shqiptarët kanë PBB.frymë 5.84 mijë dollarë ndërkohë që ka nivelin më të ulët të inestimeve të huaja. Krahasuar me situatën e vendeve të rajonit ka një rritje mesatare nga viti 2014 mesatarisht 3$ që është shumë pak për një vend me një potencial kaq të lartë. Kjo përkthehet në një vend me një rritje ekonomike të dobët që është tërësisht jashtë mundësive që ofron Shqipëria dhe pasuritë e saj natyrore dhe njerëzore.
30% e shqiptarëve kanë më pak se 5$/ditë sipas matjes së Bankës Botërore ndërkohë që niveli i varfërisë pritet të rritet në vijim si pasojë e inflacionit të rritur duke mos qenë më shpëtim. Pa nisur inflacioni si histori dhe as lufta në Ukrainë si shtesë e inflacionit, vendi jonë kishte çmimet e produkteve bazë më të lartat në rajon sipas të dhënave të EUROSTAT.
Sot, borxhi publik është realisht një pengesë pasi qeveria shqiptare në kohët e mira nuk ka shpenzuar dhe investuar me mend për t’u përballur me këtë kohë krizash. Por, siç edhe dihet, ka investuar në gjëra të parëndësishme për shqiptarët por që kanë rritur dhe kanë pasuruar një klikë të vogël oligarkësh që kanë ndikim në qeveri. Kontratat e PPP-ve janë sa 50% e PBB-së sipas FMN e cila ka këmbëngulur vazhdimisht gjithnjë e më shumë që qeveria të heqë dorë nga aventura në këto kontrata që nuk janë as të mirëstudiuara dhe as eficente si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ana shtetërore.
Në terma të tjerë, buxheti i shtetit të vendit tonë gjendet përballë një krize edhe më të thellë. Kriza e korrupsionit që sot për sot ka treguar jo 1 projekt PPP por thuajse të gjitha projektet PPP që janë kontrata korruptive dhe abuzive. Kontrata e koncesionit të tre inceneratorëve, një aferë financiare dhe vjedhje 430 mln euro që për ironi po implementohet edeh në Zimbabve nga të njëjtët personazhe. Sot buxhetit të shteti për vitin 2022 këto kontrata në total i kushtojnë 112 mln euro dhe janë rritur me 11.3% në raport me vitin e shkuar. Të gjitha këto parà që paguhen nga taksat e shqiptarëve që vazhdojnë të rriten ndërsa qeveria nuk heq dorë nga to.
Top Channel