Agresioni rus në Ukrainë, Olta Xhaçka niset për në New York, pritet takimi i nivelit të lartë të ministrave të Jashtëm

24/03/2022 16:24

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, është nisur për në New York, ku ditën e premte do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Ministrave të Jashtëm, të “Grupit të Miqësisë mbi Përgjegjshmërinë/Llogaridhënien”, referuar agresionit rus në Ukrainë.

Pas denoncimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për aktet e kryera nga Rusia, si shkelje të parimeve të Kartës së OKB-së si dhe në vazhdimësi të mekanizmave që janë ngritur nga Komuniteti Ndërkombëtar, për të mbajtur para përgjegjësisë autorët e krimeve të luftës për shkeljet dhe abuzimet e rënda me të drejtat e njeriut, Shqipëria, Kolumbia, Danimarka, Ishujt Marshall, Holanda dhe Ukraina bashkëthemeluan këtë forum ndër-rajonal shtetesh, që do të dedikohet në sigurimin e përgjegjësisë për krimet ndërkombëtare të kryera në Ukrainë.

“Grupi i Miqësisë mbi Përgjegjshmërinë/Llogaridhënien” do të pozicionohet në Nju Jork dhe Gjenevë dhe do të ketë si qëllim shkëmbimin e informacionit ndërmjet shteteve, organizatave ndërkombëtare, institucioneve dhe shoqërisë civile, duke optimizuar procesin e llogaridhënies dhe drejtësisë por dhe angazhimin e shteteve më të vogla në këtë proces.

Në këtë takim do të marrin pjesë Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale Karim A.A Khan që e ka hapur tashmë si çështje rastin e Ukrainës, pas referimit në gjykatë nga 41 shtete ku përfshihet dhe Shqipëria si dhe Komisionerja e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet. Takimi zhvillohet në intervalin kohor 16:00 deri në 18: 00 me orën lokale në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA