24 Shkurti i vitit 2022, ndoshta do jetë një datë që mund të kthejë rrjedhën e historisë.
Kjo ditë, shënon nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia që janë përfshirë në konfliktin me përmasat më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore. Lufta në Ukrainë, shihet me ankth si dita e parë e një lufte të re botërore. Mbi 1900 civilë ukrainas kanë humbur jetën, mes të cilëve të paktën 52 fëmijë ndërsa rreth 1200 persona llogariten të plagosur.
Të dhënat për viktimat në radhët e ushtrive janë kontradiktore. Sipas raporitmeve mendohet se në beteja kanë humbur jetën rreth 13 mijë ushtarë rusë ndërsa nga krahu i ukrainasve nuk ka ende evidenca. Lufta Rusi-Ukrainë konsiderohet si një luftë krejtësisht e veçantë dhe me pasojat më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore.
Strategjia që ka ndjekur Rusia konsiderohet dështuese. Sulmi erdhi në më shumë se 14 drejtime, duke llogaritur se Ukraina do të dorëzohej dhe do merrej në pak orë. Në fakt i kishin bërë llogaritë gabim. Rezistenca e ushtrisë dhe e popullsisë ukrainase ishte e jashtzakonshme.
“Nga pikpamja strategjike deri tani Rusia nuk ka avantazh strategjik. Fakti që Rusia tentoi të arrinte fitoren ushtarake brenda dy ditëve apo tre ditëve dhe pastaj ta kthente në një sukses politik dëshmoi se strategjia ruse dështoi në Ukrainë. Kievi nuk është pushtuar. Që një sukses ushtarak të kthehet në sukses politik duhet të thyhet vullneti i popullit dhe vullneti i popullit ukrainas sot është më i fortë se kurrë” u shpreh Artur Meçollari, Ish-Komandant i Flotës Detare.
Agresioni rus u justifikua me orientimin e ish-republikës së Bashkimit Sovjetik drejt perëndimit dhe aspiratat e saj për tu anëtarësuar në NATO. Vladimir Putin, ish agjent i KGB-së së famshme sovjetike pas mbi 20 vitesh në krye të Rusisë, ka nisur një luftë që për ekspertët e sigurisë shihet si tentativa për ringritjen e superfuqisë së dikurshme të këtij shteti.
Kjo duket qartë në propagandën e Kremlinit që e konsideron pushtimin operacion special për denazifikimin e Ukrainës. Në fakt, është një pushtim që vjen pasi Ukraina refuzoi të shndërrohej në një shtet satelit të Rusisë. Teksa urdhëroi sulmin mbi Ukrainë, presidenti Putin nuk nguroi të kërcënojë hapur vendet anëtare të NATO-s me luftë bërthamore nëse ndërhynin.
“Nga pikpamja ushtarake nëse nuk ka ndërhyrje nga Perëndimi , Ukraina është e dënuar pavarësisht rezitencës që po bëjnë, por ne e kemi parë në 10 ditë luftë cili është rezultati. Nëse ka ndërhyrje rrezikohet një luftë më e madhe që quhet luftë botërore ose luftë NATO-Rusi dhe me sa duket drejtuesit e vendeve të NATOS nuk janë të gatshëm për një lëvizje të tillë. Qoftë për ndërlidhjen e shumëfishtë ekonomike me Rusinë, qoftë për faktin që demokracitë perëndimore e kishin marrë të mirëqenë faktin se nuk do të ketë ndonjëherë luftë dhe gati-gati NATO e kishin çuar në të qenë një organizatë jofitimprurëse” u shpreh analisti, Ilir Kulla.
Kjo luftë po sheh disa fenomene që nuk kanë ndodhur më parë. Sulmi ndaj Ukrainës nuk u mbështet nga populli rus, që u derdh në protesta masive në qytete të ndryshme kundër Vladimir Putin. Videot e shumta dhe dëshmitë e ushtarëve rus në terren kanë treguar një farë demotivimi dhe mungese dëshirë për të luftuar. Madje, ka pasur ushtarë që përmes videove kanë treguar se u mashtruan, dhe askush nuk u tregoi se po shkonin në një luftë të vërtetë.
“Në këtë fazë të komplikuar të konfliktit, Putin në mënyrë të veçantë dhe Rusia në tërësi është përfshirë në një trekëndësh. Së pari është këndi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës ku miti i armatës ruse është në rënie, ndërsa rezistenca, organizimi popullor, por edhe ushtarak është në rritje. Duket që armata ruse ka qenë më shumë armatë paradash. Në sheshin e Kremlinit ka qenë paradë butaforike për faktin se ka futur në Ukrainë 92% të kapacitetit të saj ushtarak njerëzor, vetëm 8% ka ngelur dhe megjithatë ritmi i ofensivës dhe rezultatet e ofensivës janë shumë dëshpëruese për Rusët. Ndërkohë që rezitenca dhe organizimi Ukrainës është në rritje dhe shumë i qëndrueshëm. Së dyti sanksionet ekonomike” u shpreh Lisien Bashkurti, ish- diplomat.
Top Channel