Shiu që po bie ka shtuar sfidat me të cilat përballen hetuesit kinezë duke u përpjekur të gjejnë pse një avion pasagjerësh me 132 persona në bord u rrëzua në një rajon të largët pyjor këtë javë.

Kërkimi për kutitë e zeza (pajisje brenda avionit që regjistron të dhënat e fluturimit) dhe ndonjë të mbijetuar eventual, u pezullua përkohësisht të mërkurën, 23 mars, për shkak të shiut në malin me baltë.

Aeroplani i kompanisë “ China Eastern Airlines” po fluturonte në lartësinë 8,800 metra të hënën pasdite kur papritur u zhyt në një hendek në malet jashtë qytetit jugor kinez të Wuzhou.

Ekipet e shpëtimit me qen dhe drone kanë gjetur kuleta, karta identiteti dhe pjesë të vogla të mbeturinave të avionit. Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë indikacion se kanë gjetur të mbijetuar apo trupa njerëzish.

Pjesë të avionit janë të shpërndara në një zonë të gjerë, duke përfshirë anën tjetër të malit, tha transmetuesi shtetëror CCTV.

Çfarë janë kutitë e zeza?

Rikuperimi i të ashtuquajturave kuti të zeza është çelësi i hetimit – ato zakonisht janë lyer me ngjyrë portokalli për dukshmëri, por emërtimi me ngjyrën e zezë ka mbetur prej kohësh.

Një pajisje, që regjistron të dhënat e fluturimit, kap informacion në lidhje me shpejtësinë e avionit, lartësinë, drejtimin lart ose poshtë, veprimet e pilotit dhe performancën e të gjitha sistemeve kryesore.

Regjistruesi i zërit të kabinës kap tingujt duke përfshirë bisedat dhe zhurmën e motorit në sfond gjatë fluturimit.

Edhe me shkallën e dëmtimit të avionit, hetuesit duhet të jenë në gjendje të kenë një ide të mirë se çfarë ndodhi nëse kutitë e zeza mbijetuan dhe mund të shkarkohen.

“Gjendja teknike e aeroplanit 6 vjeçar e gjysmë ishte e qëndrueshme” dhe plotësonte kërkesat për të fluturuar, tha Sun Shiying, kryetari i degës provinciale Yunnan të kompanisë së fluturimit.

Fluturimi ishte nisur nga qyteti i Kunming në Yunnan dhe ishte nisur për në Guangzhou në provincën Guangdong./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA