Banka e Shqipërisë rriti me 0.5% normat e interesit duke e dërguar në 1% këtë tregues mjaft të rëndësishëm në ekonomi.

Goditja aktuale e ofertës dhe fortësia e kërkesës agregate, rrezikojnë të cenojnë objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm. Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë së interesit, nga niveli 0.5% në nivelin 1.0%; mbajtjen e normës së interesit të depozitës njëditore, në nivelin aktual prej 0.1%; rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore, nga niveli 0.9% në nivelin 1.9%.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se – edhe pas kësaj lëvizjeje – qëndrimi i politikës monetare vijon të jetë stimulues për rritjen e ekonomisë, të punësimit dhe të pagave. Në realitetin e ri, ky qëndrim ofron një balancë më të mirë midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të dëmtimit të rimëkëmbjes ekonomike.”

Rritja e këtyre normave prek të gjithë indikatorët ekonomikë në vend. Kreditë hipotekore, konsumatore dhe ato për investime në lekë do të bëhen më të shtrenjta. Ata që kanë para të mbyllura në depozita gjithashtu do të marrin kthime më të larta, ndërsa sa i përket ndikimit tek buxheti, interesat e borxhit të jashtëm pritet të shtrenjtohen gjithashtu. Banka synon që leku të mos zhvlerësohet përballë monedhave kryesore.

Guvernatori u shpreh se sipas parashikimeve çmimet do stabilizohen fundin e vitit të ardhshëm:

“Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror. Sipas skenarit bazë të parashikimeve, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.”

Guvernatori theksoi se pavarësisht inflacionit të lartë në parashikimet e Bankës rritja ekonomike do të vazhdojë, por jo në nivelet që ishte parashikuar përpara fillimit të luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA