Kryetari i komanduar i PD-së, Alibeaj: Kemi kohë për të diskutuar bashkimin

22/03/2022 12:39

Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha shkurt për mediat se do të ketë kohë për të diskutuar mbi bashkimin e partisë.

Në lidhje me dorëheqjen e Lulzim Bashës ai u shpreh se po diskutohet dhe do vijojë të diskutohet.

“Dita e sotme besoj kujton për këdo, të gjithë ata të cilët 30 vite më parë votuan të bashkuar, duke zgjedhur lirinë, duke zgjedhur demokracinë dhe unë besoj që bashkimi tek vlerat është çelësi i të gjithë atyre të cilëve vuajnë sot si dikur në fakt, si para 30 viteve, pikërisht peshën e madhe të diktaturës, s’ka zgjidhje tjetër. Bashkimi tek këto vlera, respekti ndaj njëri-tjetrit, bashkimi dhe ndaj asaj që është dhe e keqja më e madhe, regjimi që është instaluar tashmë në Shqipëri dhe që ndihet çdo ditë, nga mëngjesi në dark në jetën e çdo familjeje shqiptare. Dhe unë besoj që kjo është thirrja sot më shumë sesa kurrë që buron nga shpirti dhe nga zemra jo vetëm e çdo demokrati, e çdo shqiptari. Kësaj do të duhet, shpresoj, uroj, besoj madje që do të duhet të gjithë së bashku t’i shërbejmë. Është shërbimi më i madh, nuk jam penduar kurrsesi për 30 vite më parë kur kam votuar për herë të parë 30 vite më parë.

Bashkimi është ndër demokratë. Bashkimi bëhet fjalë për të gjithë ata demokratë të sakrificës, të vuajtjes, të sakrificës që kanë bërë për 30 vite, që nuk kanë përfituar, që ndjejnë sot më shumë sesa kushdo peshën e madhe, pse jo të themi edhe të këtyre përplasjeve tona. Siç e thash, sot është një ditë feste edhe për një arsye tjetër, së bashku me koleget e mia po shkoj të bëj ritin e duhur. Do të kemi kohë për të biseduar për të gjitha procedurat. E rëndësishme është buonsensi. Buonsensi buron nga këto vlera që unë thashë. Të bëhemi bashkë pikërisht për të mirën e PD”, tha ai.

Ndërsa Gazment Bardhi tha se PD-ja do të bashkohet kur demokratët të mendojnë interesin e partisë dhe jo të vetes.

“PD bashkohet kur secili prej nesh, dhe anëtarët e pezulluar të grupit, kapërcejnë veten dhe mendojnë interesin e PD dhe të demokratëve”, tha Bardhi.

Lulzim Basha dha dorëheqjen një ditë më parë nga posti në mbledhjen e zhvilluar me tre strukturat e Partisë Demokratike, ndërsa detyrën e mori nënkryetari Enkelejd Alibeaj.

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku hoqi dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë.

Sekretari i PD-së, Gazmend Bardhi njoftoi se në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Enkelejed Alibeaj.

Top Channel