Isa Sinanit nga fshati Guri i Gomares në Divjakë i kanë ngordhur brenda një nate 60 pula.
Disa ditë më parë, kishte marre mjekim në farmacitë veterinere, por nuk mundi t’i shpëtonte. Bashkëshortja e tij, Mirsida Sinani pohon se pulat i ka gjetur të ngordhura brenda kasolles dhe mishi i tyre ishte në ngjyrë blu. Ajo nuk bëri njoftim në organet përkatëse por një pjesë të shpendëve të ngordhur i hodhi në kanal dhe një pjesë, pasi i futi nëpër thaës, i hodhi në fushën e grumbullimit të mbetjeve.
Vaksinatori i zonës Divjakë, Ardian Kaja ka ardhur në banesën e çiftit Sinani dhe ka marrë analizat e gjakut nga shpendët e ngordhur.
Sipas tij, këto analiza do të dërgohen në Tiranë në institutin e veterinarisë për analiza. Deri tani në pamje të parë sipas zotit Kaja dyshohet se shpendët janë infektuar nga koksidoza ose mykplasmoza, dhe jo nga gripi i shpendëve.
Ky është rasti i parë i dyshimeve për rënien e gripit të shpendëve edhe në zonën e Divjakës. Në fshatin Guri i Gomares jashtë mikrofonit shumë rritës të shpendëve treguan se pulat dhe zogjtë e tyre i kanë të sëmura dhe i tremben ngordhjes masive në ditët në vijim.
Top Channel