Çmimi i naftës në bursa është rritur sërish. Të hënën tregjet janë hapur me çmimin 110 dollarë për fuçi, pas rënies së qëndrueshme për disa ditë rresht.
Shtrenjtimi i naftës në tregjet globale sipas mediave ndërkombëtare duket se është ndikuar sërish nga presionet e shtuara të Bashkimit Europian për vendosjen e embargos ndaj importeve të naftës ruse, si dhe deklaratat e fundit kërcënuese nga rusia, si vendi i dyte ne bote i importit te hidrokarbureve.
Kjo ka bërë që tregu global i naftës të trazohet, duke bërë që çmimet ti rikthehen paqëndrueshmërisë brenda ditës prej më shumë se 10 dollarë për fuçi.
Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe në botë e naftës bëri thirrje për të penguar sulmet nga Jemeni, që në fundjavë shënjestruan edhe kompaninë shtetërore të naftës Saudi Aramco, tjetër faktor sipas analistëve që po luhat tregjet në bursa. Arabia po përballet me thirrjet e vendeve që importojnë naftë prej saj, kryesisht Britania e madhe dhe SHBA për të rritur prodhimin , për të shmangur një kolaps të mundshëm me zinxhirin e furnizimit.
Në tregun vendas që prej një jave, nga vendimi i fundit i mbledhjes së Bordit të Karburanteve çmimet nuk kanë ndryshuar. Nafta shitet aktualisht për 203 lekë, benzina për 206 lekë litri, ndërsa gazi tregtohet për 93 lekë.
Në bazë të përllogaritjeve të metodologjisë që Bordi i Transparencës ndjek sipas aktit normativ të qeverisë për fiksimin e çmimit të karburanteve, aktualisht nëse ndryshimet e bursës do të reflektoheshin sot në tregun vendas një litër naftë do të kushtonte 221.2 lekë.
Kjo duke marrë parasysh çmimin me të cilin bursat janë hapur të hënën, ndryshimet e kursit të këmbimit, taksat që rëndojnë mbi çdo litër karburant si dhe përcaktimin për shoqëritë e tregtimit me pakicë ku lejohet jo më shumë se 5% mbi çmimin e përllogaritur.
Të hënën ishte planifikuar mbledhja e radhës së Bordit për vendosjen e çmimeve të reja të karburanteve, por nuk ka njoftim nëse bordi është mbledhur apo do mblidhet pas fundjavës së gjatë të pushimeve. E sigurt është që kurdo që të mblidhet, në pikat e karburanteve do na presë sërish një çmim surprizë.
Top Channel