Duke bllokuar trafikun në rrugët e Athinës me traktorët e tyre dhe duke valëvitur flamujt e zinj dhe pankarta ku shkruhej “ulni kostot e prodhimit”, fermerët grekë të ardhur nga gjithë vendi, kanë protestuar duke kërkuar më shumë shkurtime taksash dhe subvencione për të luftuar çmimet e larta të karburanteve dhe plehrave kimike që janë rritur tejmase prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
“Mbijetesa jonë do të jetë në rrezik këtë vit, me koston e prodhimit, energjinë elektrike, furnizimet bujqësore dhe karburantin”, thotë fermeri Giorgos Laoutis.
Megjithëse qeveria ka njoftuar për një ulje të taksave për plehrat kimike si dhe një lehtësim tatimor për karburantin e automjeteve bujqësore dhe subvencione të mëtejshme për faturat e energjisë jo vetëm për fermerët ,janë të shumtë ata që i konsiderojnë masat e reja financiare si “thërrime” ndaj rritjes galopante të çmimeve.
“Situata është bërë e padurueshme, nuk mund të punojmë tokat tona, nuk mund të kultivojmë, nuk mund të hedhim naftë në automjetet tona, nuk mund të blejmë fara dhe pleh kimik”, shprehet fermerja Diamanto Kritikou.
Më herët rrugët e kryeqytetit janë bllokuar edhe nga qindra taksitsë që protestonin edhe ata për rritjen e çmimeve të benzinës dhe naftës duke kërkuar heqjen e akcizës dhe TVSH-së për të gjitha karburantet, si dhe përjashtimin nga taksat e periudhës së pandemisë.
Bashkë me paketën e fundit financiare kundër shtrenjtësisë prej 1.1 mld euro ,qeveria deri tani ka shpenzuar rreth 3.7 miliard euro që nga shtatori i kaluar për të lehtësuar rritjen e kostove të energjisë dhe karburantit për fermerët, familjet dhe bizneset. Vetëm brenda 15 ditëve të fundit çmimet në supermarkete të shportës ushqimore janë rritur me gati 17%.
Faqet e para të gazetave si gjatë javës ashtu edhe mëngjesin e së shtunës ,përveç zhvillimeve në Ukrainë,kanë si tituj kryesorë shtrenjtësinë në thuajse çdo produkt,ndërsa mediet opozitare ripërsërisin kërkesën për heqjen e taksave të karburantin, siç kanë kryer disa shtete europiane , si një obsion që mund të sjellë uljen e çmimeve në sektorët e tjerë të ekonomisë.
Top Channel