Gjykata e Tiranës të premten ka regjistruar ndryshimet statutore gjatë Kuvendit Kombëtar të thirrur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, më 17 korrik 2021.
Kjo lëvizje erdhi disa ditë pasi ish-lideri i PD-së, Sali Berisha të shtunën e 11 dhjetorit mbajti Kuvendin Kombëtar me rreth 5 mijë delegatë dhe mijëra mbështetës për të shkarkuar kreun aktual, Lulzim Basha.
Por vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës është vendimtar dhe përcakton se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha; do të mbeten në fuqi.
Sekretari i Çështjeve ligjore në PD, Indrit Sefa tha për mediat se Lulzim Basha është kryetari zyrtar i PD.
Ndryshimet statutore
Kuvendi i 17 korrikut solli 11 ndryshime duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve.
Basha krijoi edhe Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale.
Ndryshimet e Kuvendit të Bashës kishin të bënin kryesish me zgjerimin e Kryesisë, Sekretariatit dhe shtimi të strukturës së përhershme të Këshilli Koordinues i Qarkut, që do të ketë përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të partisë në nivel qarku.
Në zgjerimin e Kryesisë është përfshirë edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar, Kryetari i Bordit Financiar, Kryetari i Komisionit Zgjedhor dhe Kryetari i Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikes.
Gjithashtu dhe Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike dërgoi në Gjykatën e Tiranës, më 15 dhjetor për regjistrim ndryshimet statutore të votuara në Kuvendin e 11 dhjetorit i thirrur nga ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Top Channel