Mrekullia e teatrit të bombarduar: Mbijetojnë gra e fëmijë, Moska: Nuk e bëmë ne!

17/03/2022 15:48

Shumica e mbi 1000 personave të strehuar në teatrin e Mariupolit, të goditur një ditë më parë nga bombat ruse, kanë mbijetuar thotë një deputet ukrainas.

Edhe pse ndërtesa u shkatërrua, pjesa dërrmuese e civilëve të fshehur në bodrum e saj, i shpëtuan mrekullisht sulmit. “Nuk dimë ende ta themi me saktësi nëse ka të vrarë apo të plagosur, por shumica e njerëzve aty arritën të mbijetojnë”, tha ligjvënësi Dmytro Gurin.

Dy shkrime të mëdha në Tokë pranë teatrit, ku thuhej: “Këtu ka fëmijë”, duhet të shërbenin si paralajmërim për forcat ruse. Fjala “fëmijë” ishte shkruar me gërma të mëdha të bardha në rusisht përpara dhe pas godinës, por forcat e Moskës nuk ndaluan as përpara një gjë të tillë.

Ministria ruse e mbrojtjes megjithatë, doli me pretendimin se nuk e kanë goditur forcat e saj teatrin, por akuzoi për këtë batajonin Azov, një njësi paraushtarake ukrainase e ekstremit të djathtë, duke thënë se ajo e hodhi në erë ndërtesën. Ngjarja u dënua menjëherë nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa presidenti Joe Biden për herë të parë e etiketoi Putinin si “kriminel lufte”.

Deklarata e tij u mbështet dhe nga zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, i cili tha për BBC se Putin e meriton plotësisht një përcaktim të tillë. “Sipas mendimit tim, plani fillestar ka qenë për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake”, ka thënë Przydacz. “Kremlini besonte se Qeveria e Ukrainës disi do të avullohet. Nuk ka ndodhur kështu.

Ukrainasit janë shumë të guximshëm në mbrojtjen e tokës dhe vlerave të tyre, demokracisë së tyre, shtetit që e kanë ndërtuar në 30 vjetët e fundit. Tani Putin ka vendosur të godasë infrastrukturën civile”, u shpreh ai. Edhe sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se “ekzistojnë prova të fuqishme” se presidenti rus, Vladimir Putin është “kriminel lufte”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA