Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur në një intervistë për DW për vizitën e tij në Berlin, zgjerimin, Serbinë, Ballkanin e hapur dhe udhëtime në kohë krize energjetike.
Në një vizitë treditore në Berlin, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, me dy kolegë të tij, Etilda Gjonaj dhe Toni Gogu nga PS, u takuan me një sërë perfaqësuesish të lartë të politikës gjermane përgjegjës për politikat e jashtme dhe të zgjerimit.
Në intervistë me DW, Balla tha se ka ardhur koha që t’i jepet një përshpejtim procesit të zgjerimit dhe kërkoi ndihmën e Gjermanisë.
Deutsche Welle: Zoti Balla, keni ardhur këtu për të lobuar për mbështetjen e Gjermanisë për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Gjermania është shprehur prej kohësh pro. Përse ka nevojë ende për lobim?
Tualant Balla: Unë besoj që është momenti i duhur për të menduar një përshpejtim real të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kriza në Ukrainë duhet të na bëjë të gjithëve këtu në Evropë të mendojmë për një bashkim më të madh të Evropës, duke përfshirë brenda saj sa më shpejt edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ju flisni për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë dhe Serbinë, ndërkohë që Serbia nuk e ka në të njëjtën linjë politikën e saj të jashtme me BE…
Unë i referohem Ballkanit Perëndimor në tërësi. Mendoj që procesi i anëtarësimit në BE duhet bazohet mbi meritën e secilit vend. Dhe teksa ju u ndalët tek politika e jashtme e Serbisë, mendoj që Serbia duhet të heqë dorë nga tangoja e vjetër e të kërcyerit njëkohësisht edhe me BE-në, edhe me Rusinë. Por për mua e rëndësishme është që Shqipëria nuk mund të vazhdojë të pengohet për të filluar bisedimet për anëtarësim për shkak të një debati mes një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe një vendi që aspiron. Qeveria e re gjermane duhet t’i japë zgjidhje, sepse në fund të fundit ne e dimë të gjithë, se cili është roli real që luan Berlini në vendimmarrjen e brendshme të Bashkimit Evropian.
Kur kërkoni nga Serbia të pozicionohet se në cilën anë është. A mos ka ardhur koha që edhe Shqipëria të pozicionohet dhe të heqë dorë nga Ballkani i Hapur, i cili ia pakëson gurët e kandarit Kosovës në negociatat me Serbinë?
Këto nuk duhen ndërlidhur në asnjë moment. Iniciativa e Ballkanit të Hapur është një paradhomë e asaj që përfaqëson sot Bashkimi Evropian. Dhe unë besoj dhe shpresoj që koha do të tregojë që edhe Kosova, edhe Mali i Zi, edhe Bosnja-Hercegovina do t’i bashkohen kësaj iniciative.
Dhe një pyetje që mund ta shtrojë një protestues sot në Shqipëri. Çdo shqiptar sot duhet të shtrëngojë rripin.
A mos ka ardhur koha që vizita të tilla ndoshta të bëhen në mënyrë digjitale për të kursyer disa para nga buxheti i shtetit?
Pas më shumë se dy vjet e gjysmë pamundësie për t’u takuar me kolegët e Bundestagut, ishte e nevojshme për një shkëmbim mes katër syve të shumë çështjeve, të cilat duhet të ecin përpara. Unë mendoj që sot edhe ne shqiptarët në Tiranë apo kudo gjetkë, duhet të jemi shumë më të bashkuar me njëri-tjetrin. Në fund të fundit duhet ta kuptojmë se jemi në prag të një lufte edhe më të gjerë sesa ajo që po ndodh në Ukrainë dhe pasojat e kësaj lufte duhet t’i përballojmë të gjithë së bashku.
Top Channel