Pas pandemisë së Covid-it, duket se po afron një pandemi tjetër: ajo e rritjes së çmimeve.
Shpresa për një ringritje ekonomike globale, pas përfundimit të pandemisë, duket se janë frenuar nga një vale inflacioni në rritje, që nisi nga Shtetet e Bashkuara.
Kërkesa e lartë për mallra pas pandemisë, mungesa e ofertës në treg dhe së fundmi lufta në Ukrainë ka bërë që çmimet e lëndëve të para në tregje, nga ato energjetike deri tek ndërtimi të rriten në mënyrë stratosferike.
Edhe në Shqipëri, prej tre muajsh inflacioni është nën vëzhgimin e Bankës së Shqipërisë. Ekonomistët presin që banka së shpejti të rrisë normat e interesit:
“Duket se kjo rritje çmimesh është strukturore. Banka e Shqipërisë duhet të rrisë normat e interesit, siç kanë bërë edhe shumë banka të tjera qendrore”.
Por, cilat do jenë ndikimet e para tek qytetarët nëse normat e interesit rriten?
“Leku do të vlerësohet më shumë dhe sigurisht do të ketë ndikim tek mosrritja e çmimeve, kreditë, tek depozitat bankare, investimet dhe me radhë”.
Sipas profesorit Civici çmimet do vijojnë të larta edhe për disa muaj:
“Duke parë edhe si po ecin çmimet e lëndëve të para mendoj se presioni inflacionist në Shqipëri do vijojë të jetë i fortë edhe për një periudhë disa mujore”.
Banka Qendrore e Amerikës pritet të rrisë me 0.25% normat e interesit. Kjo lëvizje vjen në momentin kur inflacioni në Amerikë arriti në nivelin më të lartë në 40 vite, në muajin shkurt, me çmimet e ushqimeve dhe energjisë në nivele rekord.
Jerome Powell, guvernator i Bankës Qendrore Amerikane prej muajsh po jepte sinjale në këtë drejtim. Rritja e normave të interesit është një politikë e vështirë ekonomike. Nga njëri krah ajo e bën më të kushtueshme për të marrë para, duke rritur normat e interesit për kartat e kreditit, kreditë konsumatore deri tek ato hipotekore. Por, në një ekonomi të shëndetshme indikatori më me rëndësi është: stabiliteti i çmimeve. Pikërisht kjo është balanca “e artë” që kërkon guvernatori amerikan, çmime të qëndrueshme dhe rritje ekonomike.
Rritja e normave të interesit mund të ulë kërkesën e tepërt nga konsumatorët, në kushtet kur oferta e produkteve dhe zinxhirët e furnizimit janë në një pikë shumë të dobët pas pandemisë.
Kur interesat rriten, ekonomia frenon zhvillimin e saj, por ekonomistët amerikanë po shpresojnë që frenimi të jetë i qëndrueshëm dhe indikatorët kryesorë si punësimi apo rritja ekonomike të mos dëmtohen. Histori ka treguar që kjo lëvizje është e vetmja i shpëton ekonomitë nga normat e larta të inflacionit apo rritjes së çmimeve.
Top Channel