Gisel Leka, një i mitur nga fshati Mokër në Pogradec lindi me probleme të mëdha në dëgjim, gati shurdhëri.
Mjekët rekamanduan vendosjen e implantit koklear sa më shpejt të ishte e mundur, në të kundërt fëmija do të kishte probleme në të folur.
Implanti Koklear është një tjetër paketë shëndetësore e premtuar se do të rimbursohet 100% nga shteti. Por për Giselin dhe familjarët e tij, kërkesa për vendosjen e implantit do të kalonte nëpërmjet betejave ligjore.
Gjyshi i të miturit rrëfen se sa të vështirë e kanë pasur për të marrë këtë shërbim.
Sipas tij, nëse nuk do të ishte për dy organizatat që e asistuan për ta ndjekur këtë rast, nuk dihet nëse do ishte arritur një zgjidhje për problemin e fëmijës.
Implanti koklear është ndërhyrja më e shtrenjtë që rimbursohet nga shteti shqiptar. Me një kosto totale prej 29 mijë dollarë, ku përfshihet ndërhyrja dhe vendosja e implantit që rikthen dëgjimin. Kjo paketë nuk u bë aktive për një kohë të gjatë duke privuar nga e drejta për shërbim rreth 20 pacientë në vit, kryesisht të mitur.
Sot Denisi është 9 vjeç, dhe për shkak se implanti koklear iu krye shumë vonë, kur ai ishte thuajse 7 vjeç, ka shumë vështirësi.
Vetëm pak kohë më parë prindërit e tij e kanë dëgjuar të shqiptojë fjalët “ma” dhe “ba”. Krejt ndryshe do të kishte qenë situata po ti ishte nënshtruar implantit kur ishte dy vjeç.
Aktualisht prindërit e tij janë detyryar të zhvendosen në Pogradec, ku kanë marrë një shtëpi me qira dhe çdo ditë e dërgojnë djalin në fizioterapi, e cila kushton 1 mijë lekë seance.
“Ne kemi rënë në kontakt me një pacient të mitur i cili nuk kishte dhe më pas e kemi referuar” u shpreh Denisa Canameti, eksperte shëndetësie TFL Komiteti Shqiptar i Helsinkit duke e konsideruar cënim të rëndë dhe diskriminim shëndetësor e dërgoi çështjen në gjykatë. Por, beteja në drejtësi kërkonte kohë dhe Giselit i shtohej rreziku.
“Ne e kemi çuar në gjykatë dhe gjykata dha të drejtë. Fëmijës iu vendos implanti koklear” u shpreh Ardita Kolmarku, juriste
Giselit iu bë e mundur vendosja e implantit koklear vetëm pas betejës në gjykatë. Madje, vendimi parashionte edhe një dëmshpërblim në shumën prej 60 mijë eurosh për zvarritjet e shkaktuara. Pra, një shumë që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për shkak të abuzimeve nga zyrtarët e shëndetësisë.
Giseli ishte me fat dhe tashmë mund të dëgjojë pa problem. Por, jo të gjithë e kanë pasur këtë fat pasi implanti koklar ka qenë një ndër paketat më problematike.
Shërbimi në fjalë u realizua për herë të parë në 5 pacientë të vegjël gjatë vitit 2020, në shërbimin e Otorino-Laringologjisë, i njohur ndryshe si spitali francez në QSUT. Kjo ndërhyrje ka kriter moshën dhe vendoset në fëmijërinë e hershme. Në fillim të Marsit të vitit 2022, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se këtë ndërhyrje të kushtueshme e kanë përfitur deri më tani 20 fëmijë.
“Një nga problemet më të mëdha që shfaqin këto paketa është kush i monitoron ato? Si bëhet shpërndarja e fondeve?” u shpreh Denisa Canameti, eksperte shëndetësie TFL
Top Channel